Kupa e Botës, nikoqire e së cilës në vitin 2034 do të jetë Arabia Saudite, mund të shtyhet, çka do të nënkuptonte se kampioni i ri i botës mund të shpallej gjatë vitit 2035.
Gazeta britanike The Sun shkruan për mundësinë që turneu në Arabinë Saudite të mos zhvillohet tërësisht gjatë vitit 2034, por të përfundojë në fillim të vitit 2035.
Organizimi i turneut në Arabinë Saudite që nga fillimi është përballur me problemin e temperaturave jashtëzakonisht të larta gjatë verës. Ky problem në Katar në vitin 2022 u zgjidh duke e zhvilluar kampionatin në nëntor dhe dhjetor, por e njëjta zgjidhje nuk mund të zbatohet lehtë për turneun në Arabinë Saudite.
Sipas kalendarit hënor islamik, Ramazani në vitin 2034 do të zgjasë nga 12 nëntori deri më 12 dhjetor dhe mundësitë që turneu të zhvillohet gjatë kësaj periudhe konsiderohen pothuajse zero.
Kupa e Botës kështu mund të nisë në mes ose në fund të dhjetorit 2034 dhe të përfundojë vetëm në fund të janarit 2035. Një tjetër mundësi është që i gjithë turneu të nisë në janar, ndërsa finalja të zhvillohet në shkurt të vitit 2035.
Në të dyja rastet, Kupa e Botës 2034 do të bëhej e para në histori që do të shtrihej në dy vite kalendarike ose që do të zhvillohej në një vit tek.
Vendimin përfundimtar për datat e zhvillimit të turneut FIFA pritet ta marrë gjatë vitit 2027.



















