Influencuesja humbi jetën pasi ra nga kati i 27-të i një ndërtese në Dubai: U sulmua në rrjete sociale, reagon familja

Influencuesja Kauana Bilhar, 26 vjeçe, ka humbur jetën pasi ra nga kati i 27-të i një ndërtese në Dubai.

Rrethanat në të cilat ajo ra mbeten ende të paqarta, ndërsa policia aktualisht po zhvillon hetime lidhur me vdekjen e saj.

Bilhar kishte jetuar në Dubai për rreth dy vjet dhe rregullisht ndante me ndjekësit e saj në Instagram postime ku tregonte jetën luksoze që bënte.

Mediat raportojnë se pas dy vitesh qëndrimi në këtë metropol, ajo planifikonte që së shpejti të kthehej në vendlindje.

Vdekja e influencueses së re është konfirmuar edhe nga familja e saj.

Nëna e saj, pasi mori lajmin për vdekjen tragjike, udhëtoi drejt Dubait për të marrë pjesë në procedurat lidhur me hetimin dhe për të organizuar kthimin e trupit të Kauanës në Brazil.

Pas publikimit të lajmit për vdekjen e influencueses, familja thotë se prej ditësh po përballet me komente fyese në rrjetet sociale.

“Më duhet të shoh se si kujtimi për vajzën time gjykohet, ekspozohet dhe trajtohet pa respekt nga njerëz që nuk e kanë njohur historinë e saj”, tha nëna e saj në një video emocionale.

Ajo më pas i bëri thirrje publikut që të përmbahet nga komentet negative.

“Vajza ime meriton respekt. Ajo nuk mund t’u përgjigjet më akuzave, komenteve dashakeqe dhe historive që shpiken për të”, tha nëna e pikëlluar.

Kategoritë
Të ndryshme