Spanja do të ndalojë pirjen e duhanit në tarracat dhe hapësirat e jashtme të lokaleve gastronomike, deklaroi ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Monica Garcia.
Ajo tha se Spanja synon të jetë lidere në kontrollin e produkteve të duhanit, pas reformave të mëparshme me të cilat është ndaluar pirja e duhanit në zyra dhe në hapësirat e mbyllura të objekteve gastronomike.
Garcia theksoi se kohët kanë ndryshuar, se janë shfaqur produkte të reja dhe se sot nevojat e shëndetit publik janë të ndryshme. Sipas saj, duhani shkakton vdekjen e 140 personave çdo ditë në Spanjë, ose rreth 50.000 persona në vit.
Ajo rikujtoi gjithashtu se 30 për qind e rasteve të kancerit në Spanjë lidhen me përdorimin e produkteve të duhanit.
Agjencia Reuters raportoi se tashmë është përgatitur projektligji që parashikon këtë ndalim, por ai duhet të miratohet nga parlamenti.




















