“15 korriku 2026 shënoi afatin e fundit që partnerët të dorëzonin raportet për zbatimin e hapave në kuadër të periudhës së katërt të raportimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje”, ka deklaruar një zëdhënës i KE-së.
Sipas Komisionit, pas dorëzimit të raporteve ka nisur procesi i vlerësimit të zbatimit të reformave, mbi bazën e të cilit do të merret edhe vendimi për disbursimin e fondeve përkatëse.
“Pas dorëzimit të raporteve, Komisioni tani po vlerëson zbatimin e hapave përkatës të reformave dhe do të vendosë për disbursimet përkatëse”, theksohet më tej në përgjigje.
Komisioni rikujtoi se afati për zbatimin e hapave të reformës në kuadër të periudhës së katërt të raportimit ishte 30 qershori 2026, datë që njëkohësisht shënoi edhe përfundimin e periudhës shtesë për zbatimin e masave që duhej të përfundonin në mesin e vitit 2025.
“Siç u përmend, Komisioni tani do t’i vlerësojë raportet dhe do të përcaktojë disbursimet përkatëse”, thuhet më tej në përgjigjen për Telegrafin.
Po ashtu, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova e ka dorëzuar me sukses kërkesën për pagesë dhe se ajo aktualisht është në proces vlerësimi.
“Mund të konfirmojmë gjithashtu se Kosova e ka dorëzuar me sukses kërkesën e saj për pagesë. Siç u tha, Komisioni aktualisht është duke e vlerësuar atë”, kanë theksuar nga Komisioni Evropian, megjithatë nuk kanë përmend datë të saktë se kur do të bëhet publik vendimi.
Ndryshe, çështja e fondeve të Planit të Rritjes për Kosovën ka qenë në fokus edhe javët e fundit, pas paralajmërimeve se vendi mund të rrezikonte humbjen e rreth 40 milionë eurove nëse nuk përmbusheshin reformat dhe afatet e përcaktuara.
Megjithatë, Komisioni Evropian kishte bërë të ditur se ende nuk kishte marrë një vendim për pezullimin e këtyre fondeve.
Përgjigjja e fundit e Komisionit konfirmon se Kosova e ka dorëzuar kërkesën për pagesë dhe se ajo, së bashku me raportin për zbatimin e reformave, aktualisht është në proces vlerësimi, pas të cilit do të vendoset për disbursimin e këstit përkatës.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro: 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. /Telegrafi/