BeH dhe Azerbajxhani nënshkruajnë Deklaratën e Përbashkët për Partneritet Strategjik

“Kemi vendosur që pas disa ndërhyrjeve që i kemi pasur në periudhën paraprake, sot të hapim një faqe të re në bashkëpunimin tonë, madje mund të themi një kapitull të ri, më efektiv në marrëdhëniet tona”, tha Cvijanoviq

Kryesuesja e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Zheljka Cvijanoviq, tha se Azerbajxhani është një vend mik me të cilin vendi i saj hapi sot një kapitull të ri dhe më efektiv në marrëdhëniet reciproke, raporton Anadolu.

Cvijanoviq zhvilloi një takim me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Sarajevë.

Në konferencën e përbashkët për media, Cvijanoviq deklaroi se vizita e Aliyev-it në Sarajevë paraqet një përgjigje të shpejtë të ftesës, duke dëshmuar kështu se është mik i të gjithë popujve që jetojnë në BeH.

“Kemi vendosur që pas disa ndërhyrjeve që i kemi pasur në periudhën paraprake, sot të hapim një faqe të re në bashkëpunimin tonë, madje mund të themi një kapitull të ri, më efektiv në marrëdhëniet tona”, tha Cvijanoviq.

Ajo falënderoi Azerbajxhanin dhe presidentin Aliyev, siç tha ajo, për mbështetjen vetëmohuese që i dhanë BeH-së në kohë sfiduese, veçanërisht në vitin 2014 kur vendi u përball me përmbytje të mëdha, por edhe gjatë pandemisë së koronavirusit COVID-19.

BeH dhe Azerbajxhani në Sarajevë gjithashtu nënshkruan Deklaratën e Përbashkët për Partneritet Strategjik.

“Ne kemi vendosur të jemi partnerë strategjikë dhe jam e sigurt se do të sillemi në këtë mënyrë. Kjo deklaratë do të na mundësojë të kemi një mirëkuptim më të mirë politik, konsultime politike, do të na mundësojë të kemi një bashkëpunim më të mirë ekonomik, duke lidhur bizneset tona dhe institucionet tona në mënyrë që të arrijmë përfitime më të mira ekonomike dhe, natyrisht, do të na shërbejë si bazë për bashkëpunim më të mirë dhe të përmirësuar të sigurisë, që është në interes të gjithë botës”, tha Cvijanoviq pas nënshkrimit të deklaratës

Presidenti Aliyev në fjalimin e tij u shpreh i bindur se shkëmbimi tregtar midis dy vendeve do të rritet, duke shprehur interesim për investime në sektorin energjetik.

“Sa i përket ekonomisë, do të ketë iniciativa të reja. Ne do të krijojmë një komision të përbashkët ekonomik. Kemi diskutuar për projekte konkrete dhe kemi vendosur të krijojmë grupe pune që së shpejti do të marrin masa konkrete. Partneriteti strategjik është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Jam i bindur se BeH dhe Azerbajxhani do të vazhdojnë të ecin përpara si partnerë të vërtetë strategjikë”, tha Aliyev.

Ai theksoi rëndësinë thellimit të dialogut ndërkulturor, duke rikujtuar gjithashtu se Baku dhe Sarajeva janë qytete simotra.

Kategoritë
BotaLajmeRajoni