Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, mund ta humbasë punën e tij në rast se ai nuk merr fitore në katër xhirot e mbetura deri në përfundim të kampionatit spanjoll.
Xavi kishte deklaruar pas humbjes ndaj Gironës se e ardhmja e tij nuk do të jetë temë diskutimi për shkak të asaj humbje ose për shkak të sezonit të tyre, dhe ka pasur raportime se ai ende gëzon mbështetjen e plotë të presidentit Joan Laporta, por gjërat mund të ndryshojnë nëse situata nuk përmirësohet.
Blaugranasit duhet të fitojnë të paktën dy pikë më shumë se Girona në katër ndeshjet e tyre të fundit ndaj Real Sociedadit, Almerias, Rayo Vallecanos dhe Sevillas, për të siguruar vendin e dytë në tabelë.
Në rast se Xavi nuk e bën dot këtë, Diario AS raporton se kjo mund ta fusë klubin në një krizë. Do të konsiderohej si dështim, dhe do të hapte derën për skenare të reja dhe traumatike pasi e ardhmja e Xavit nuk do të konsiderohej më e sigurt dhe vendi i dytë po konsiderohet si minimumi i asaj që Xavi duhet të arrijë.
Kjo do të bënte që Barcelona të konsideronte shitjen e disa yjeve të ekipit. Ronald Araujo dhe Frenkie de Jong do të ishin kandidat për shitje, ndërsa rreziku që ata të përfundojnë në pozitën e tretë në tabelë do të sjellte pasoja serioze për stafin dhe lojtarët.
Nëse Barcelona përfundon e treta në La Liga, kjo do të thoshte se të gjitha vendimet do të shtyheshin deri në fund të sezonit si dhe klubi do të humbiste mundësinë që të merrte pjesë në edicionin e ardhshëm të Superkupës së Spanjës, aty ku klubet pjesëmarrëse fitojnë një shumë të majme parash.