Pamjet e reja të siguruara nga AA tregojnë edhe momentet kur Keskin u dërgua në komisariat si dhe momentet kur punonjësit e policisë i masazhuan zemrën pasi vunë re se nuk reagonte
ESRA TAŞKIN/FEİZA BEN MOHAMED –
Anadolu Agency (AA) ka siguruar pamje të reja lidhur me ngjarjen ku shtetasi 35-vjeçar Merter Keskin me origjinë turke që u arrestua vitin e kaluar nga policia franceze dhe u shtri në tokë i prangosur me duart mbrapa dhe i cili humbi jetën pasi iu pamundësua të marrë frymë nga presioni i ushtruar në trupin e tij gjatë përpjekjeve për t’i hequr prangat në qeli.
AA ka siguruar pamjet e momentit kur Keskin hyn në komisariat, dërgohet në qelinë e paraburgimit dhe kur polici fillon masazhimin e zemrës. Në regjistrim vërehet se Keskin ishte i prangosur me duart pas shpinës dhe duke ecur i qetë gjatë ardhjes së tij në komisariat i shoqëruar nga policia.
Ndërsa në një pamje tjetër lidhur me ngjarjen, shihet se Keskin qëndron pa lëvizur mbi stol dhe policët e kontrollojnë nëse merr apo jo frymë dhe më pas një punonjës e ngre lart dhe lëshon krahun e Keskin-it.
Pas një kohe dy policë e mbajnë dhe e shtrinë përtokë Keskin-in i cili nuk lëviz, ku njëri prej policëve heq bluzën e Keskin-it dhe e godet me dy shuplaka për të matur reagimin e tij dhe më pas fillon të bëjë masazh zemre.
Sipas informacioneve të marra nga disa burime, polici fillon masazhin e zemrës rreth 2 minuta pasi kupton që Keskin nuk merrte frymë.
Në deklaratën e tyre policët kishin pretenduar se Keskin në komisariat nuk qëndronte në vend dhe lëvizte vazhdimisht.
– Pamjet e para të siguruara nga AA
Në pamjet e para që AA kishte siguruar, përfshiheshin momentet kur polici francez e kishte shtrirë me fytyrë poshtë mbi stolin në qeli ndërkohë që ishte i prangosur me duar prapa dhe që policët i bënin presion duke i shkaktuar vdekjen. Në regjistrimin në fjalë u vërejt se një polic e shtrin Keskin-in përtokë dhe ushtron presion me bërrylin në trup për të penguar lëvizjen ndërsa edhe punonjësit e tjerë atje kanë vepruar në mënyrë të ngjashme.
Më pas policët për 3 minuta përpiqen të hapin prangat e Keskin-it por pasi kuptohet se ishin çelësat e gabuar, prangat hapen me çelësin e drejtë që sjell një polic tjetër.
Në pamje vërehet se policët ngritën lart dhe lëshuan krahun e Keskin-it pas shqetësimit kur kuptuan se Keskin nuk po reagonte pas presionit të ushtruar prej disa minutash.
Mësohet se Keskin i cili qëndroi i shtrirë pa lëvizur nga vendi ku ndodhej, kishte ndërruar jetë me mbërritjen e ekipeve mjekësore dhe momenti i vdekjes së tij u regjistrua më 13 janar 2021 në orën 05:00.
– Raporti i Autopsisë
Në raportin e Autopsisë thuhet se Keskin ka vdekur pasi ka mbetur pa frymë dhe se në trupin e tij nuk janë gjetur shenja se ai është përpjekur të mbrojë veten e tij.
Krahas krahëve në kokën dhe në qafën e Keskin-it janë gjetur mavijosje, thuhet në raportin në të cilin bëhet e ditur se viktima ka vdekur si pasojë e arrestit kardiak. Në anën tjetër është theksuar se në gjakun e tij janë gjetur substanca të paligjshme.
Një polic i cili ndodhej atë ditë në komisariat, në deklaratën e tij në Njësinë e Hetimit të Policisë kombëtare (IGPN) ka thënë se ka parë gjak në anën e gojës së Keskin-it gjatë kohës kur është sjellë në komisariat dhe se qëndronte në këmbë me ndihmën e policëve.
Ndërsa në një deklaratë të bërë nga një polic i dytë, thuhet se Keskin para se të dërgohej në qeli ka thënë se ndiente dhimbje në zemër dhe se ka kërkuar një gotë ujë nga policët të cilët e refuzuan këtë kërkesë.
Edhe një polic i tretë, ka bërë të ditur se nga gjendja e Keskin-it kuptohej se ai duhet të dërgohej në spital por që policët nuk e kanë bërë këtë me arsyetimin se nuk kanë kohë.
Pas hetimit që policia hapi lidhur me ngjarjen edhe Prokuroria ka filluar një hetim të dytë.
AA siguron pamje të reja lidhur me vdekjen e shtetasit francez me origjinë turke gjatë ndërhyrjes së policisë https://t.co/CGTJJ3eJH8 pic.twitter.com/yCx6OhywQ5
— ANADOLU AGENCY (AL) (@aa_albanian) June 11, 2022