​Ndryshon harta elektorale: Tirana bëhet me 36 mandate, Dibra dhe Gjirokastra një më pak

Komisioni Rregullator ka ndryshuar hartën elektorale sa u përket mandateve për deputet në zonat zgjedhore në Shqipëri.

Tirana do të bëhet me 36 mandate, ndërsa qarku i Dibrës dhe Gjirokastrës praktikisht do të kenë nga një mandat më pak.

Sipas Komisionit Rregullator numri total i shtetasve 4.544.977 është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 32.464 si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati – numri real i dalë nga pjesëtimi është 32464,12.

Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati 32464 shtetas, dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh, i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim.

Pas këtij veprimi mbetën pa u shpërndarë edhe 7 mandate për të plotësuar numrin 140. Në bazë të nenit 75, pika 5, të Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm.

Veprimet e kryera janë të pasqyruara në tabelën e mëposhtme:

Caktimi i numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvend të datës 25 prill 2021 si më poshtë:

Qarku Berat – 7 mandate

Qarku Dibër– 5 mandate

Qarku Durrës – 14 mandate

Qarku Elbasan – 14 mandate

Qarku Fier – 16 mandate

Qarku Gjirokastër – 4 mandate

Qarku Korçë – 11 mandate

Qarku Kukës – 3 mandate

Qarku Lezhë – 7 mandate

Qarku Shkodër – 11 mandate

Qarku Tiranë – 36 mandate

Qarku Vlorë – 12 mandate

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të KQZ./tch

Kategoritë
LajmeVendi