​MKRS ndanë çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë sot çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore. Çmimi për veprimtari jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanicae” postmortum është ndarë për rapsodët Salih dhe Feriz Krasniqi. Çmimi vjetor për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi”, i është ekipit realizues të projektit “Kujtesa e Kosovës rrëfimi i 100 pleqve e plakave të Kosovës”.

Çmimi vjetor për veprën shkencore “Zef Mirdita”, u është ndarë Kujtim Rrahmanit dhe Arbër Sadikut, ndërsa, çmimi vjetor për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu”, është ndarë për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku.

Në ceremoninë e ndarjes së këtyre çmimeve që u mbajt në parkun arkeologjik Ulpiana, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se pjesa më e madhe e çmimeve të ndara sot i kanë dhënë rëndësi pjesës së trashëgimisë shpirtërore.

Dumoshi: I kanë dhënë rëndësi pjesës së trashëgimisë shpirtërore

 “Më vjen mirë që pjesa më e madhe e çmimeve sot i kanë dhënë rëndësi pjesës së trashëgimisë shpirtërore, e cila Kosovës i duhet për ta pasuruar sa më shumë duke i treguar identitetin tonë kombëtarë dhe shpirtëror. Të gjitha çmimet kanë një emër dhe mbiemër të cilët kanë një rëndësi të madhe duke filluar nga rapsodia, e cila me shekuj daton ku nëpërmes telave të sharkisë dhe çiftelisë janë kënduar këngë kreshnike, këngët e lavdisë, këngët e dashurisë, këngët e atdheut dhe janë dhënë mesazhe të ndryshme”, tha ajo.

Dumoshi u shpreh tejet e kënaqur që si ministri kanë mbështetur edhe projektin “Kujtesa e Kosovës, rrëfimi i 100 pleqve e plakave të Kosovës”, për të cilin projekt tha ka synim që të pasurojë dokumentacionin e Kosovës dhe të prezantohet Kosova sa më mirë.

Dumoshi: Synimet tona janë më stazë të gjatë deri te UNESCO

 

“Synimet tona janë më stazë të gjatë deri tek UNESCO, prandaj pikë për pikë mbushet edhe dokumentacioni edhe prezantohet Kosova ashtu siç i ka hije”, tha ajo.

Çmimi për veprimtari jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanicae” postmortum të ndarë për rapsodët Salih dhe Feriz Krasniqi, e ka pranuar djali i Salihut, Naim Krasniqi, i cili tha se është i lumtur që tashmë po vlerësohet krijimtaria e tyre.

Krasniqi: Mund t’i quaj ambasadorë të folklorit të shekullit të kaluar

 

“Jemi krenarë dhe jemi të lumtur që ministria më në fund mos ta them po bënë diçka për veteranët e folklorit shqiptar Salih dhe Feriz Krasniqi, njëkohësisht mund t’i quaj ambasadorë të folklorit të shekullit të kaluar”, tha ai.

Profesori Arsim Canolli në emër të ekipit realizues të projektit “Kujtesa e Kosovës rrëfimi i 100 pleqve e plakave të Kosovës”, pranoi çmimin vjetor për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi”. Ai tha se një pjesë e historisë së Kosovës tashmë ruhet si monument i trashëgimisë kulturore e shpirtërore.

Canolli: Tash ruhet si monument i trashëgimisë kulturore shpirtërore

 

“Falënderoj shumë të gjithë ata të moshuar, pleq e plaka siç i kemi quajtur që e kanë hapur derën e shtëpisë së tyre dhe na kanë lejuar që një copë të madhe të historisë së Kosovës që ka qenë krejt prapa mureve të shtëpisë, prapa dyerve të shtëpisë dhe jo e treguar në sferën publike, tash ruhet si monument i trashëgimisë kulturore shpirtërore”, tha ai.

Kategoritë
LajmeVendi