Pas disa ikjeve të njëpasnjëshme nga burgjet e Kosovës, ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë thirrur një konferencë për media. Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, për gjithë këto ikje është arsyetuar se kanë ndodhur në qendra korrektuese të tipit të hapur dhe sipas tij, ikjet kanë ndodhur në të kaluarën por edhe mund të ketë edhe në vazhdimësi.
Kjo pasi, sipas Sallahut, këto institucione nuk i nënshtrohen masave të larta të sigurisë, sepse qëllimi është realizimi i programeve avancuese për të burgosurit që i nënshtrohen rehabilitimit dhe integrimit.
“Është me rëndësi se largimi nga qendra korrektuese të tipit të hapur, ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në vazhdimësi, sepse këto institucione nuk i nënshtrohen kontrollit dhe masave të larta të sigurisë sepse qëllimi i tyre është realizimi i programeve avancuese për të burgosurit që i nënshtrohen rehabilitimit dhe integrimit në shoqëri”, ka thënë Sallahu.
Ai ka thënë se pas ngjarjeve të ndodhura së fundi, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi ta marrin raportin e Inspektoratit do të marrin vendimet adekuate.
“Inspektorati i MD është në vendngjarje dhe sapo të marrim raportin, do të merren vendimet adekuate”, ka thënë Sallahu.