Detaje nga takimi në Moskë: Putini pretendoi se Rusia do ta pushtojë së shpejti Donbasin, dhëndri i Trumpit iu përgjigj ashpër

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, vuri në dyshim pretendimin e presidentit rus Vladimir Putin se forcat ruse mund ta pushtojnë të gjithë Donbasin në Ukrainë brenda disa muajve, raportoi “The New York Times”.

Sipas gazetës amerikane, biseda u zhvillua gjatë takimit që Kushner dhe i dërguari tjetër amerikan, Steve Witkoff, zhvilluan me Putinin në Moskë më 5 shtator.

Gjatë takimit në Kremlin, Putini u shfaq i sigurt dhe pretendoi se forcat ruse do ta merrnin nën kontroll të gjithë Donbasin brenda disa muajve.

Ai gjithashtu deklaroi se Rusia ishte e gatshme të sulmonte infrastrukturën energjetike të Ukrainës, çka mund të krijonte kushtet për një dimër jashtëzakonisht të vështirë.

Kushner e vuri në pikëpyetje vlerësimin e Putinit.

“Me gjithë respektin, të njëjtën gjë na e thatë edhe para një viti. Sa janë gjasat që pas një viti të kthehemi përsëri këtu dhe ju të na thoni sërish të njëjtën gjë? Ndoshta nuk duhet ta humbim edhe një vit?”, citohet të ketë thënë Kushner sipas “The New York Times”.

Putini ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të tërhiqet nga territoret e Donbasit që forcat ruse ende nuk kanë arritur t’i pushtojnë ushtarakisht.

Kushner dhe Witkoff u takuan me Putinin në Moskë më 5 shtator, ndërsa të nesërmen udhëtuan drejt Kievit. Vizitat u zhvilluan në kuadër të përpjekjes më të fundit diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe përbënin vizitën e tyre të parë në Ukrainë.

Trumpi zhvilloi një bisedë me Putinin më 8 shtator, pasi të dërguarit ishin kthyer në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, atë ditë ai nuk bisedoi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Më 9 shtator, pas asaj që e përshkroi si një “bisedë të shkëlqyer” me Putinin, Trumpi deklaroi se presidenti rus ishte i gatshëm të arrinte një marrëveshje paqeje. Ai shprehu shpresën se edhe Zelensky do të pranonte një marrëveshje.

Kushner më vonë foli për mosmarrëveshjen territoriale gjatë konferencës “Yalta European Strategy” në Kiev.

Ai tha se Putini kishte paraqitur vijën territoriale që Moska dëshironte të arrinte, ndërsa pranoi se Ukraina nuk ishte e gatshme të tërhiqej deri në atë vijë.

“Nëse Ukraina do të dëshironte të tërhiqej deri në atë vijë, atëherë, padyshim, pjesën tjetër të marrëveshjes do ta kishim tashmë të dakorduar dhe të përgatitur. Ukraina aktualisht nuk dëshiron ta bëjë këtë”, tha Kushner.

Ai shtoi se Uashingtoni po kërkon një “zgjidhje kreative” për mosmarrëveshjen territoriale, e cila mund të mundësonte përparimin e negociatave.

Statusi i territoreve të Donbasit që vazhdojnë të jenë nën kontrollin e Ukrainës mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për rifillimin e negociatave trepalëshe ndërmjet Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së.

Kategoritë
BotaLajme