Vedat Muriqi pritet të startojë ndaj Zenitit

Ciro Immobile, Lucas Leiva dhe Thomas Strakosha, thuhet se nuk kanë udhëtuar drejt Rusisë për ndeshjen e Ligës së Kampionëve, ndërmjet Lazios dhe Zenit St Petersburgut.

Këta futbollistë nuk do të jenë në dispozicion të Simone Inzaghit, pasi nuk janë larguar nga Formello me pjesën tjetër të ekipit – njofton Tuttomercatoweb.

Sipas të njëjtit medium, trajneri i Bianconcelestëve në stërvitjet taktike të të martës i ka provuar në fazën e sulmit Vedat Muriqin dhe Andreas Pereiran, ashtu që ata mund të startojnë në sfidën e xhiros së tretë të fazës grupore.

Inzaghi ka vendosur t’i lë të pushojnë paksa futbollistët, si Immobile, Joaquin Correa e Felipe Caicedo duke startuar me sulmuesit tjerë.

TMW tutje raporton se Pepe Reina pritet të jetë në portë, derisa në mbrojtje do të jenë Luiz Felipe, Wesley Hoedt dhe Francesco Acerbi.

Luis Alberto, Manuel Lazzari, Gonzalo Escalante, Denis Vavro, Stefan Radu dhe Senad Lulic pritet të mungojnë për ekipin italian.

Lazio ka katër pikë nga dy ndeshjet e para (një fitore dhe një barazim), ndërsa sfida ndaj Zenitit zhvillohet të mërkurën mbrëma me fillim në orën 18:55.

Kategoritë
LajmeSport