TIKA ofron mbështetje për zhvillimin e bletarisë në Maqedoninë e Veriut

“Projekti për zhvillimin e bletarisë është një nga projektet e para bujqësore që kemi zhvilluar në Maqedoninë e Veriut”, tha koordinatori i TIKA-s në Shkup, Halim Ömer Söğüt.

Në kuadër të projektit për zhvillimin e bletarisë në Maqedoninë e Veriut, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ofroi koshere moderne, materiale të punës për bletarinë dhe prodhimin e mjaltit për 30 familje, raporton Anadolu.

Në kuadër të shpërndarjes së mjeteve të bletarisë në qytezën e Gradskos në pjesën qendrore të vendit, morën pjesë koordinatori i TIKA-s në Shkup, Halim Ömer Söğüt dhe bletarët.

Söğüt në deklaratën për mediat tha se si TIKA zhvillojnë projekte të bazuara në bashkëpunimin zhvillimor.

Ai tha se deri më sot në Maqedoninë e Veriut kanë zhvilluar projekte dhe aktivitete në shumë fusha nga arsimi deri në shëndetësi, nga bashkëpunimi social dhe kulturor deri në zhvillimin e infrastrukturës administrative dhe civile, si dhe në sektorë si bujqësi dhe blegtori.

“Projekti për zhvillimin e bletarisë është një nga projektet e para bujqësore që kemi zhvilluar në Maqedoninë e Veriut. Në kuadër të projektit të zhvillimit të bletarisë, kryhen trajnime, sigurohen koshere bletësh, pajisje bazë të bletarisë dhe grante për uniformat”, u shpreh ai.

Në kuadër të këtij projekti, sipas tij, kanë siguruar 300 koshere bletësh për 30 familje në rajonet e qyteteve të Velesit, Kërçovës dhe Kumanovës, ku janë të përfshirë edhe familjet që fillojnë për herë të parë me bletari dhe ato që merren me vite me këtë punë.

Duke theksuar se synimi i tyre është të kontribuojnë në më shumë prodhim, zhvillim të qëndrueshëm, të kontribuojnë në të ardhurat e familjes dhe blerjen e produkteve të një game më të gjerë, Söğüt tha se nga bletaria nuk fitohen vetëm produkte si mjalti, por edhe produkte si qumësht blete dhe propolis, të cilat janë shumë të njohura sidomos pas periudhës së pandemisë.

Kategoritë
EkonomiLajmeRajoni