



Sipas gazetës, ndër objektivat e mundshme janë asetet ushtarake amerikane në Evropën Juglindore, përfshirë Bullgarinë, e cila muajin e kaluar miratoi përdorimin e bazës Bezmer nga avionët amerikanë për furnizim me karburant.
Si objektiv i mundshëm përmendet edhe Qiproja, ku një bazë britanike u godit me dron në muajin mars.
Burimet pohojnë gjithashtu se forcat iraniane kanë shqyrtuar mundësinë e një sulmi ndaj kabllove optike nënujore në Ngushticën e Hormuzit, në rast të një përshkallëzimi të ri.
Sipas tyre, në Teheran po rritet bindja se vazhdimi i luftës është vetëm çështje kohe, ndërsa negociatat për rihapjen e ngushticës kanë ngecur.
Donald Trump deklaroi të martën se me Teheranin “nuk ka negociata apo bisedime dhe as nuk janë planifikuar”.
Nga ana tjetër, një prej burimeve pretendon se Irani nuk do të vendosë kufizime ndaj përgjigjes së tij në rast të një agresioni amerikan:
“Nëse SHBA-ja shkon shumë larg, Irani do të mbrohet me çdo kusht, do të veprojë përtej rajonit dhe do të godasë edhe Evropën.”
Analistët paralajmërojnë se Irani disponon raketa me rreze të mesme veprimi, të cilat mund të arrijnë objektiva në Evropën Jugore dhe Juglindore, megjithëse efektiviteti i tyre në distanca më të mëdha do të ishte i kufizuar, shkruan Financial Times.
Ata shtojnë se Teherani ka më shumë gjasa të veprojë përmes grupeve të armatosura aleate në Irak, Liban dhe Jemen.
Në të njëjtën kohë, brenda udhëheqjes iraniane ekzistojnë shqetësime se Teherani mund të jetë duke i mbivlerësuar kapacitetet e veta. Pas dështimit të memorandumit të qershorit ndërmjet SHBA-së dhe Iranit dhe sulmeve të reja hakmarrëse, perspektivat për një marrëveshje më të gjerë për përfundimin e luftës janë dobësuar edhe më tej.