IZRAELI gjatë viteve të fundit po i forcon gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa kjo lidhje është fuqizuar veçanërisht gjatë luftës në Lindjen e Mesme, shkruan “The Jerusalem Post”.
Në një kohë kur marrëdhëniet e Izraelit me një pjesë të vendeve evropiane janë rënduar për shkak të luftës në Gaza dhe presionit të opinionit publik, Beogradi është dëshmuar si një nga partnerët më të rëndësishëm të Jerusalemit në Evropë.
Kjo marrëdhënie nuk është e thjeshtë, pasi Serbia njëkohësisht ruan lidhje të ngushta historike me Rusinë dhe përpiqet të balancojë ndërmjet Perëndimit, Kinës dhe interesave të saj rajonale. Megjithatë, bashkëpunimi ndërmjet Izraelit dhe Serbisë është rritur dukshëm gjatë viteve të fundit, veçanërisht në sektorin ushtarak dhe atë të sigurisë.
Serbia i dërgoi municion Izraelit
Raportuesja e posaçme e OKB-së, Francesca Albanese, në muajin mars kritikoi në Beograd autoritetet serbe, pasi, siç u shpreh ajo, “pa turp” bashkëpunojnë me Izraelin dhe i dërgojnë pajisje ushtarake.
Sipas raportimeve të “Balkan Insight” dhe “Haaretz”, zyrtarët izraelitë kontaktuan kolegët e tyre serbë që më 8 tetor, një ditë pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Ata kërkuan municion, ndërsa Serbia reagoi shpejt. Leja e eksportit u lëshua brenda katër ditësh, pas së cilës dërgesa u nis drejt bazës ajrore izraelite Nevatim, afër Beer Shebës.
Dërgesat vazhduan edhe pas fillimit të ofensivës tokësore izraelite në Gaza. Deri në mesin e vitit 2024, Serbia i eksportoi Izraelit municion në vlerë prej 16,3 milionë eurosh. Për krahasim, gjatë gjithë vitit 2023, deri në muajin tetor, eksporti i përgjithshëm serb i armëve drejt Izraelit kishte vlerën prej 540 mijë eurosh.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në shkurt të vitit 2024, falënderoi publikisht presidentin serb Aleksandar Vuçiq për “mbështetjen e palëkundur të Serbisë, si me fjalë ashtu edhe me vepra”, duke e quajtur atë “mik të vërtetë të Izraelit”.
Kontratë e madhe me kompaninë izraelite Elbit
Vlera e eksportit serb të armëve drejt Izraelit vazhdoi të rritej. Në vitin 2025 ajo u rrit me 140 për qind dhe arriti në 114 milionë euro, ndërsa gjatë atij viti u regjistruan 38 fluturime serbe të transportit të municionit drejt Izraelit.
Izraeli vazhdon të mbështetet më së shumti te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por bashkëpunimi me Serbinë tregon se dëshiron ta zgjerojë rrethin e furnizuesve dhe ta zvogëlojë varësinë nga një fuqi e vetme e madhe.
Në këmbim, Serbia fiton qasje në teknologjinë ushtarake izraelite. Thelbësore është kontrata me kompaninë izraelite “Elbit Systems”, me vlerë 1,6 miliardë dollarë. Marrëveshja pesëvjeçare përfshin prodhimin e dronëve zbulues dhe luftarakë në Serbi, zhvillimin e municioneve endacake, raketave precize artilerike me rreze të gjatë veprimi dhe sistemeve për luftë elektronike.
Serbia më herët kishte blerë nga Elbit edhe sistemet raketore PULS, si dhe dronët mbikëqyrës dhe luftarakë Hermes 900. Beogradi dhe Jerusalemi gjatë vitit 2026 nënshkruan gjithashtu një marrëveshje për lehtësimin e shkëmbimit të të dhënave të inteligjencës dhe mbrojtjes.
Serbia po i afrohet në heshtje Perëndimit
Për Serbinë, bashkëpunimi me Izraelin ka një kuptim më të gjerë gjeopolitik. Rusia tradicionalisht ka qenë një furnizues i rëndësishëm i saj me armë, ndërsa Kina gjatë viteve të fundit ka marrë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen kundërajrore dhe në sektorin e dronëve. Lidhjet me Izraelin, por edhe me Francën, i ndihmojnë Beogradit ta balancojë këtë varësi.
Serbia është e rëndësishme për Izraelin edhe si vend që ndodhet në korridorin tokësor ndërmjet Evropës Juglindore dhe pjesës tjetër të kontinentit. Në kontekstin e rrugëve të reja tregtare, veçanërisht korridorit Indi–Lindje e Mesme–Evropë, Beogradi mund të ketë një rol të rëndësishëm logjistik.
Këtë zhvillim po e përcjellin edhe rivalët rajonalë. Turqia, e cila gjithashtu ka ambicie në Ballkan, po i forcon marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes me Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën, gjë që shkakton shqetësim në Serbi.
Lidhja historike dhe interesat e sotme
Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Izraelit kanë edhe një dimension historik. Në tekst përmendet përvoja e përbashkët e vuajtjeve të hebrenjve dhe serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe një lidhje më pak e njohur me fillimet e sionizmit modern.
Gjyshi i Theodor Herzlit, Shimon Loeb Herzl, jetonte në Zemun dhe ishte i afërt me rabinin Yehuda Alkalai, një nga teoricienët e hershëm të nacionalizmit modern hebraik. Alkalai ishte frymëzuar nga kryengritjet serbe kundër osmanëve, ndërsa supozohet se Herzli i ri, përmes rrethit të tij familjar, kishte dëgjuar për herë të parë idetë për rilindjen kombëtare hebraike.
Megjithatë, sot në plan të parë janë interesa shumë më konkrete: armët, dronët, bashkëpunimi në fushën e inteligjencës, siguria rajonale dhe përpjekjet e të dyja vendeve që, në një rend ndërkombëtar të paqëndrueshëm, të mos varen vetëm nga një fuqi e vetme e madhe.



















