Si i “mjelën” fondet e BE-së fermerët grekë me lopë të sajuara

Sipas një analize të të dhënave qeveritare të revistës së politikës së jashtme Politico, fermerët grekë gjatë vitit 2024 kanë kërkuar subvencione nga Bashkimi Evropian për dhjetëra mijëra krerë bagëti më shumë sesa figuronin në regjistrat shtetërorë.

Ky zbulim kërcënon ta zgjerojë edhe më tej skandalin ekzistues me subvencionet bujqësore në Greqi.

Nga analiza janë zbuluar mospërputhje të mëdha mes të dhënave për zvogëlimin e fondit kombëtar blegtoral, të publikuara nga Agjencia Greke e Statistikave ELSTAT, dhe evidencave për subvencionet e paguara, të administruara nga Ministria e Bujqësisë e Greqisë.

Skandalet e fundit në sektorin e bujqësisë i kanë detyruar autoritetet në Athinë të premtojnë reforma të thella dhe kontrolle më të rrepta.

“Blegtoria greke po hap një faqe të re. Po i përmbushim detyrimet ndaj BE-së dhe po hyjmë në një epokë të re të bujqësisë, një epokë të bazuar në rregulla, transparencë dhe besueshmëri”, deklaroi në qershor, në një konferencë për media, ministri i Bujqësisë Margaritis Schinas.

Megjithatë, mospërputhjet në të dhëna tregojnë se qeverisë i mbetet ende një rrugë e gjatë përpara se ta vendosë plotësisht nën kontroll këtë problem, shkruan Politico.

Matematika që nuk përputhet

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, autoritetet greke gjatë vitit 2024 kanë paguar mjete nga fondet e BE-së për 260 mijë lopë qumështore. Kjo shifër, e publikuar fillimisht nga një portal grek i bujqësisë, është konfirmuar zyrtarisht për Politico nga vetë ministria.

Duke qenë se një lopë qumështore zakonisht lind një viç në vit, fondi blegtoral, mbi këtë bazë, do të duhej të ishte rritur afërsisht me të njëjtin numër krerësh.

Të dhënat e ministrisë tregojnë se gjatë vitit 2024 janë therur rreth 70 mijë gjedhe për mish, kategori për të cilën gjithashtu ekziston e drejta për subvencione.

Greqia nuk publikon të dhëna gjithëpërfshirëse për kafshët që largohen nga mbarështimi për shkak të therjes, eutanazisë, shitjes, ngordhjes, moshës, uljes së produktivitetit apo sëmundjeve.

Megjithatë, tre mbarështues grekë të gjedheve, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti për Politico, kanë deklaruar se një largim i tillë zakonisht përbën rreth 20 për qind të tufës së përgjithshme në vit.

Duke marrë parasysh se në Greqi gjatë vitit 2024 kishte rreth 600 mijë gjedhe, sipas të dhënave të ELSTAT-it, kjo do të nënkuptonte një zvogëlim prej rreth 120 mijë kafshësh.

Kur këto humbje të vlerësuara krahasohen me të dhënat për subvencionet, llogaritjet tregojnë se fondi kombëtar blegtoral gjatë atij viti do të duhej të ishte rritur me afërsisht 70 mijë krerë.

Në vend të rritjes, të dhënat e mbledhura nga ELSTAT përmes hulumtimeve vjetore tregojnë një rënie të vazhdueshme të fondit blegtoral: nga 640 mijë krerë në vitin 2023, në 600 mijë në vitin 2024, dhe deri në 520 mijë në vitin 2025, sipas të dhënave më të fundit të publikuara në qershor.

Nikos Dimopoulos, kryetar i Shoqatës së Blegtorëve të Kavalës, ka paralajmëruar se mospërputhjet mund të jenë edhe më të mëdha.

Për shembull, një pjesë e kafshëve të therura mund të kenë ardhur nga importi dhe jo nga fondi blegtoral vendas, pasi Greqia në shumicën e viteve është importuese neto e kafshëve të gjalla dhe eksporton vetëm sasi të vogla.

“Nuk ka kontroll dhe nuk mund të kemi një shifër të saktë, sepse nuk ekzistojnë të dhëna të besueshme”, tha Dimopoulos, duke kujtuar se shërbimet kompetente kryejnë vetëm kontrolle të rastësishme ose veprojnë pas denoncimeve.

Mospërputhje të ngjashme janë evidentuar edhe në regjistrat për delet dhe dhitë.

ELSTAT për vitin 2025 raportoi 8,8 milionë kafshë, ndërsa në bazën zyrtare shtetërore të të dhënave, Sistemin e Integruar Informativ Veterinar, figuronin 15,7 milionë krerë.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, të cilët kanë kërkuar të mbeten anonimë pasi nuk janë të autorizuar të flasin publikisht, kanë deklaruar se ministria nuk është përgjegjëse për mbajtjen e regjistrave të bagëtive dhe se mbështetet në të dhënat që ofrojnë komunat.

Ekspertët, për këtë arsye, kanë paralajmëruar se vendi nuk ka një regjistër të sigurt dhe të besueshëm mbi bazën e të cilit mund të kryhen pagesat e subvencioneve për blegtorinë.

“Përderisa nuk bëjmë një regjistrim të bagëtive në të gjithë Greqinë për të parë se me çfarë disponojmë realisht, nuk do të kemi një pasqyrë të qartë”, tha Dimopoulos.

Përfshihet Prokuroria Publike Evropiane

Denoncime lidhur me mospërputhjet mes subvencioneve të paguara dhe madhësisë zyrtare të fondit blegtoral janë dorëzuar në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian (EPPO).

Denoncimi është paraqitur nga partia e sapoformuar e majtë Elas, e udhëhequr nga ish-kryeministri grek Alexis Tsipras, pasi kjo parti kishte kryer analizën e saj të fondit blegtoral.

“Denoncimet i janë dërguar EPPO-së”, konfirmoi Thomas Moschos, përgjegjës për politikat bujqësore të kësaj partie.

Ai shtoi se Shoqata Bujqësore e Kastorias, organizatë e fermerëve të vegjël ku ai është kryetar, së bashku me shoqata të tjera, tashmë u ka dorëzuar dokumentacion prokurorëve evropianë.

Edhe pse EPPO ka refuzuar të konfirmojë nëse po e heton këtë rast konkret, kjo institucion tashmë po zhvillon dhjetëra procedura kundër personave të dyshuar se kanë marrë fonde të BE-së për kullota që nuk i kishin në pronësi apo me qira, ose për punë bujqësore që nuk i kishin kryer fare.

EPPO në korrik njoftoi se kishte ngritur aktakuzë ndaj 22 personave, përfshirë edhe katër deputetë të partisë në pushtet “Demokracia e Re”, në kuadër të një hetimi më të gjerë për mashtrime me fondet bujqësore.

Gjykimet ndaj këtyre deputetëve pritet të nisin në Athinë në tetor, ndërsa të gjithë të akuzuarit e mohojnë fajësinë.

Dyshohet se veterinerë dhe zyrtarë të OPEKEPE-s, agjencisë që më parë ishte përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve bujqësore të BE-së dhe që u mbyll pikërisht për shkak të skandalit me subvencionet, kanë falsifikuar dhe fryrë numrin e bagëtive.

Një nga rastet e EPPO-së, ku përfshihet një deputet i “Demokracisë së Re”, lidhet me pagesa të dyshuara subvencionesh ndaj një mbarështuesi për një numër shumë më të madh lopësh sesa kishte realisht.

Sipas dosjes së çështjes, në të cilën Politico ka pasur qasje, deputeti kishte telefonuar një zyrtar të lartë të OPEKEPE-s për të kërkuar përshpejtimin e pagesës, duke theksuar se veterineri në stacionin veterinar tashmë kishte ndryshuar numrin e bagëtive, duke e rritur kështu shumën e subvencionit që i takonte fermerit.

Rasti pritet të dalë para gjykatës më 2 tetor.

Për shkak të këtij skandali, qeveria ka paralajmëruar vendosjen e masave të reja të kontrollit, përfshirë një sistem elektronik për identifikimin e deleve dhe dhive përmes kapsulave gastrike elektronike (bolus).

Zbatimi eksperimental i këtij sistemi pritet të fillojë këtë vit në fermat me më shumë se 900 kafshë, duke përfshirë rreth 700 mijë krerë, ndërsa më pas sistemi do të zgjerohet në të gjithë sektorin.

Greqia në mars i dorëzoi Komisionit Evropian një plan veprimi me masa për parandalimin e keqpërdorimit dhe shpërndarjes së paligjshme të fondeve bujqësore.

Komisioni Evropian ka njoftuar se do të bashkëpunojë me Greqinë për të ndihmuar në përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit të subvencioneve bujqësore evropiane.

Kategoritë
BotaLajme