Shqipëri, synohen 60 vaksinime në një orë, do punohet 8-10 orë në ditë

Eugena Tomini, shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike pranë Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë u shpreh gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së hënës se janë marrë të gjitha masat për ruajtjen e dozave të vaksinave anticovid në frigoriferë me temperaturën mbi -70 gradë.

“Janë siguruar për rreth 30 mijë doza, frigoriferët mbi -70 gradë. Ne jemi në gatishmëri edhe me tre frigoriferët që janë në qendrën e barnave, një në QSUT dhe ISHP që ka dhomat frigoriferike. Megjithatë për Pfizer për 30 mijë dozat janë siguruar frigoriferët -70 gradë. Lotet do të jenë nga 30 mijë doza”, tha ajo.

“Nëse ne kemi kapacitetin, do të tërheqim 500 mijë doza dhe sipas një kalendari të përcaktuar do të nisim dhe listën e personave që do të fillojë sipas grupeve të riskut. Fillojmë por për 21 ditë të vjen radha për dozën e dytë dhe hap pas hapi ezaurohen duke eliminuar totalin e vaksinave”, u shpreh Tomini.

“Nëse nga 60 bokset që ka gjithë arena, për një orë qarkullojnë gati 60 individë, do të punohet për 8-10 orë në ditë. Pas aplikimit qytetari duhet të qëndrojë rreth 30 minuta. Sasia që vjen, vjen në bazë të një kalendari”, shpjegoi më tej ajo.

Tomini tha se stafi që do të kryejë vaksinimet është i trajnuar. Pas Tiranës, pra stadiumit ‘Air Albania’, Tomini tha se po bëhen gati ambientet edhe në Vlorë dhe Shkodër.

“Po përgatitet Vlora dhe Shkodra. E rëndësishme është të fillojmë vaksinimin në mënyrë të centralizuar e më pas do të shpërndahen sipas grafikut në Shkodër dhe Vlorë në një etapë të dytë. Nëse vaksina hapet brenda disa orëve duhet të ezaurohet. Me kushtet frigoriferike dhe vendosja në këto dy zona, Shkodër dhe Vlorë, do të ketë një facilitet” theksoi ajo.

“Absolutisht është një nga armët më të forta për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit, do të minimizojë drejt uljes një intensitet të jashtëzakonshëm të transmetimit. Parashikimet janë që do të krijojmë një imunitet pasiv të popullatës. Do të ulim agresivitetin e sëmundjes dhe komplikacionet, por gjithçka mbetet në pritje të reagimit të individit. Vaksina është një ndërhyrje e fuqishme për ndërprerjen e transmetimit”, tha ndër të tjera, Tomini.

Kategoritë
LajmeRajoni