SHBA, zjarre dhe dëme materiale në protestën kundër brutalitetit policor

Protesta e cila filloi si paqësore në Kaliforni përfundoi me zjarre të shumta, disa makina të dëmtuara dhe dritare të shumta të thyera

Protesta e cila filloi si paqësore në Kaliforni përfundoi me zjarre të shumta, disa makina të dëmtuara dhe dritare të shumta të thyera, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protesta kundër brutalitetit të policisë në Oakland filloi e qetë të premten mbrëma, raportuan mediat. Ndërkaq, gjatë marshimit të mëvonshëm ku u mblodhën rreth 300 protestues, disa prej tyre ndezën zjarre dhe thyen dritare.

Në mesin e ndërtesave të dëmtuara ishte dhe një sallon automobilash. Të paktën një veturë u dogj. Një zjarr u ndez gjithashtu para një banke.

Protestuesit brohorisnin emrin e Daunte Wright, një 20-vjeçar i cili u qëllua dhe u vra nga një oficer policie në Brooklyn Center në Minesota, dhe Adam Toledo, një 13-vjeçar i cili u qëllua nga një oficer policie në Çikago.

Turma gjithashtu hodhi shishe dhe sende të tjera ndaj oficerëve gjatë marshimit, tha policia e Oakland në një deklaratë. Një oficer pësoi dëmtim nga goditja në kokë.

Autoritetet shpallën tubimin të paligjshëm dhe udhëzuan demonstruesit të largoheshin. Policia tha që protestuesit u shpërndanë paqësisht. Nuk ka pasur arrestime.

Kategoritë
BotaLajme