Rritet eksporti i shërbimeve të teknologjisë nga Kosova

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është më i avancuari në Kosovë dhe me potencial të madh.

Në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e certifikimit të 272 të rinjve kosovarë në trajnime në sektorin e teknologjisë si Java programming, Cybersecurity, Web Development, Python, Big Data and Machine Learning modules, raporton Anadolu.

Në raundin e gjashtë të trajnimeve të organizuara nga “Weglobal” dhe “Prishtina REA”, mori pjesë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe të rinj nga grup-mosha të ndryshme.

Ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli tha se sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është më i avancuari në Kosovë dhe me potencial të madh. Ajo përgëzoi studentët për marrjen e dijeve specifike të cilat do të kontribuojnë edhe me rritje të prodhimeve dhe eksportit të shërbimeve nga Kosova.

“Kosova ka aktualisht mbi 1.500 kompani të TIK-ut dhe më shumë se gjysma e tyre i eksportojnë shërbimet e tyre kryesisht në SHBA dhe në Evropë. Eksporti i shërbimeve të TIK-ut, është rritur 113 për qind vetëm në vitin e kaluar, pra në vitin 2022 në krahasim me një vit më parë. Pra, kemi të bëjmë me një rritje tejet dinamike dhe kjo në radhë të parë duke falënderuar të rinjtë dhe të rejat tona, ndërmarrësve tanë dhe shkathtësive të tyre të ndërmarrësisë dhe TIK-ut”, theksoi Rizvanolli.

Johannes Stenbaek nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se kjo fushatë po ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit.

“Është në linjë me trendet globale dhe është reflektuar edhe në strategjinë e Qeverisë së Kosovës e cila ka identifikuar sektorin e teknologjisë informative si prioritet për zhvillimin ekonomik”, theksoi Stenbaek.

Ai shtoi se deri më tash nga gjashtë trajnimet e mbajtura, janë certifikuar mbi 1.500 të rinj nga ky projekt me mbi 150 biznese pjesëmarrëse vendore dhe ndërkombëtare.

Qëllimi i projektit është të përmbushë mungesat dhe nevojat për shkathtësi digjitale e biznesore në mënyrë të qëndrueshme duke plotësuar nevojat e tregut dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare digjitale e tradicionale sikurse edhe rritjen e eksportit të bizneseve kosovare të TIK-ut, bashkë me të atyre tradicionale përmes përdorimit të TIK-ut nga ana e tyre.

Kategoritë
Ekonomi