Refuzohet kërkesa e Prokurorisë, Akil Gjakova lirohet nga paraburgimi

Xhudisti i njohur, Akil Gjakova është liruar nga paraburgimi, ndërsa ndaj tij është vendosur masa e ndalimit për t’iu afruar personit apo vendit , në këtë rast bashkëshortes së tij.

Gjakova ishte arrestuar në fillim të javës në pikën kufitare në Morinë, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti.

Bashkëshortja e tij e ka denoncuar xhudistin për dhunë fizike dhe psikike.

“Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.GJ, i dyshuar për vepër penale dhuna në familje nga neni 248 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

“Të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që të njëjtit i është ndaluar për t’iu afruar vendit ku e dëmtuara banon si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra, e në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata ndaj të njëjtit do të caktoj masën e paraburgimit”.

“Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund t’a dënojë personin e mbrojtur me gjobë”.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeVendi