Rama: Kapitull i ri mes Shqipërisë e Turqisë

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan nënshkruan sot në Ankara, deklaratën e përbashkët politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp nga Ankaraja, Kryeministri Rama tha se gjatë kësaj vizite konstatuam shprehjen e një vullneti të fortë për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Falënderoj nga zemra Presidentin e Republikës së Turqisë dhe mikun tim për këtë mikpritje të paharrueshme, edhe pse nuk është hera e parë që unë e vizitoj Turqinë mike. Por në këtë mikpritje, ne të gjithë së bashku si delegacion nga Shqipëria mundëm të konstatojmë shprehjen e një vullneti të fortë për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, mes dy shteteve, mes dy qeverive. I jam mirënjohës Presidentit për bashkëbisedimin kokë më kokë dhe për kohën e çmuar që i dedikoi një tërësie të konsiderueshme çështjesh”, tha Rama.

Por mbi të gjitha, vijoi ai, “dua ta shpreh këtu mirënjohjen për të dhe për popullin turk, për reagimin e menjëhershëm në mbështetje të Shqipërisë, duke u gjendur në krah të familjeve të goditura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, ndërkohë që një tjetër tërmet e kishte lëkundur Shqipërinë dy muaj më parë”, raporton ATSh.

“Presidenti Erdogan ishte i pari që u angazhua publikisht dhe botërisht për t’u përfshirë në procesin e rindërtimit dhe faktikisht i hapi rrugë një procesi të tërë përfshirje të shumë të tjerëve që bënë të mundur mbledhjen e një kontributi të konsiderueshëm për Shqipërinë”, tha Rama.

Rama theksoi faktin se solidariteti i Turqisë mike dhe Presidentit Erdogan nuk ka qenë një solidaritet i shprehur vetëm në momentin kur Turqia nuk ka pasur një problem të vetin, por edhe kur Turqia njësoj si ne dhe gjithë bota u godit nga COVID-19, Presidenti dhe Republika e Turqisë i qëndruan pranë Shqipërisë dhe nuk vepruan si disa të tjerë që njësoj siç u thanë njerëzve të tyre “mbylluni në shtëpi”, mbyllën në shtëpi edhe shtetet e tyre dhe ndaluan edhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë.

“Kjo ka qenë shumë domethënëse për ne. Edhe sot, një nga temat e diskutimit ishte bashkëpunimi i afërt i dy vendeve, mbështetja e Republikës të Turqisë për Shqipërinë në të gjithë procesin e kësaj lufte të madhe, pa u kursyer dhe pa i mbajtur sytë vetëm nga vetja, brenda kufijve të Turqisë. Besoj se sjellja e Republikës të Turqisë ndaj nesh dhe qasja e Presidentit Erdogan në situatat kur vende si yni gjenden në vështirësi, janë mishërimi i asaj fjalës së paharrueshme të Kemal Atatürk se “njerëzimi është një trup i vetëm, çdo komb është pjesë e këtij organizmi””, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “edhe pse Turqia u godit nga tërmete dhe u gjend në domosdoshmërinë për t’u marrë me plagët e veta, për të cilat i kam shprehur dhe i shpreh ngushëllimet Presidentit, kjo nuk e bëri të ndalet për asnjë sekondë nga projekti aspak i vogël që po realizohet me mbështetjen e tij dhe nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të ministrit turk, mikut tonë, Murat, i cili nuk është se nuk ka këtu shumë e shumë punë për të bërë dhe duhet të merret edhe me rindërtimin këtu, gjeti kohë të vijë në Tiranë dhe të jetë vazhdimisht i pranishëm në gjithë diskutimet tona”, tha Rama.

Rama theksoi se “solidarizmi dhe reagimi ndaj ngjarjeve të tilla reflektojnë esencën e kësaj marrëdhënieje dhe humanizmit që është në themel të kësaj marrëdhënieje”.

“Sot jam vërtet krenar që m’u dha mundësia dhe nderi të nënshkruaja deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, gjë që e ngre partneritetin tonë të shpallur strategjik, në stadin e një marrëdhënie institucionale ndërqeveritare, ku vlera më e madhe që shoh është gatishmëria për të ngritur grupe të përbashkëta dhe për të punuar nga afër bashkërisht, duke kapërcyer të gjitha barrierat burokratike dhe të gjitha pengesat e natyrës së vetë marrëdhënieve mes dy shteteve, pra duke funksionuar si një organizëm që sheh, projekton dhe bashkëpunon në të njëjtin drejtim”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “padiskutim që potenciali është shumë i madh dhe jam shumë i kënaqur që Presidenti gjatë bisedës shprehu gatishmërinë dhe jo vetëm me fjalë, por edhe me ndjekjen direkt në moment të atyre aspekteve të bisedës që lidhen me çka kemi biseduar më parë për disa ndërhyrje të rëndësishme në fushën e turizmit, shëndetësisë, arsimit”.

Rama ndau lajmin e shkëlqyer për të rinjtë shqiptarë që një universitet si ITU, Universiteti i famshëm Teknologjik i Stambollit ku ne kemi tanimë një zinxhir të disa viteve me studentë, do të jetë prezent së shpejti në Shqipëri.

Po ashtu, Rama tha se “së shpejti edhe spitali rajonal i Fierit do të jetë realitet”.

“Bastet në Turqi dhe në Shqipëri janë të ndaluara me ligj, nuk mund të vinim bast, por basti që të jetë gati për 3 muaj, është një bast shumë i fortë. Unë do e kisha humbur me qejf këtë bast, por edhe shanse për ta fituar do kisha, duke pasur parasysh se edhe turqit edhe shqiptarët kur vjen puna te zbatimi poshtë duhet t’i shtysh vazhdimisht”, tha Rama.

“Zoti President, deri në datën 7 prill, 3 muaj, zgjedhjet janë tjetër. Tani të regjistruar në Republikën e Shqipërisë janë 4 milionë e 200 mijë veta, heqim fëmijët që nuk dinë të numërojnë, do kesh 3.5 milionë supervizorë personalisht që do të ndjekin ditë për ditë deri në 7 prill, ‘e bëri Erdogani, s’e bëri Erdogani’. Tani ke vënë një bast shumë të madh, inshalla po e mban”, tha Rama, duke iu përgjigjur gatishmërisë së Presidentit Erdogan për ta ndërtuar spitalin rajonal të Fierit brenda 3 muajve.

Në përfundim, Kryeministri tha se “jam mirënjohës për mikpritjen, kohën e çmuar në dispozicion dhe gatishmërinë të jemi përsëri së bashku në darkën që ju bujarisht na keni ofruar në këtë mjedis kaq mikpritës e të ngrohtë. Falëndeoj anëtarët e përfaqësisë suaj nga Ministri i Jashtëm, te Murati e të tjerët, i bindur që sot ne kemi bërë një hap, frutet e të cilit, pasojat pozitive, shqiptarët e turqit së bashku do t’i shohin në materializimin e këtyre iniciativave”.

Kategoritë
BotaLajmeRajoni