Prokuroria në monitorim të grupit “Albkings” për të mos lejuar rihapjen e tij

Emra, fotografi e të dhëna personale u shpërndanë në një grup famëkeq i quajtur “Albkings” për një kohë të gjatë.

Ata që qëndronin prapa këtij grupi vetëm po rriteshin në numër, ndërsa viktimat e kuptonin më vonë se ishin duke u keqpërdorur nga këta të fundit përmes rrjetit social “Telegram”.

Në lidhje me këtë rast, të arrestuar deri më tani janë shtatë persona.

Për këtë çështje, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj konfirmoi se numri i të arrestuarve të dyshuar për përfshirje në këtë rast vazhdon të jetë shtatë.

Madje ajo tha se Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës është duke vazhduar ta hetojë këtë rast.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me policinë, është duke vazhduar ta hetojë këtë rast. Deri më tani, janë arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar, ndërsa për detaje të tjera sa i përket kësaj çështjeje penale nuk mund t’iu japim në këtë faze”,tha Ulaj.

E pyetur nëse ekziston mundësia që ky grup të hapet pavarësisht se disa nga administratorët vazhdojnë të jenë prapa grilave, Ulaj tha se janë në monitorim të vazhdueshëm të kësaj çështje.

Madje nga Prokuroria u theksua se për këtë grup apo çfarëdo grupi të ngjashëm, Prokuroria në koordinim me Policinë e Kosovës do të ndërmarrë masat e nevojshme.

“Po ashtu, iu njoftojmë se në çdo kohë jemi në monitorim të kësaj çështjeje dhe në qoftë se ka tendencë të hapjes së këtij grupi apo çfarëdo grupi tjetër të ngjashëm, prokuroria në koordinim me policinë do t’i ndërmerre masat e nevojshme”, tha ajo.

Ndryshe në mesin e të arrestuarve nga ky grup është edhe administrator kryesor, F.P., i cili thuhet se është edhe krijuesi i gjithë grupit.

Ndërsa prokurorja e rastit, Erza Bajrami -Kastrati është deklaruar e bindur se ky grup është arritur të mbyllet përfundimisht, pavarësisht raportimeve për një rihapje të mundshme.

“Kemi arritur që këtë grup ta mbyllim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestojmë shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast. Që nga mbyllja e parë grupi është rihapur edhe dy herë të tjera, por përfundimisht tashmë ky grup është mbyllur”, tha ajo.

Po ashtu sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka gjasa që hetimet në këtë rast të zgjerohen edhe sa i përket personave, por edhe s ai përket veprave me të cilat ngarkohen.

“Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen. Sot i kemi gjithsej 7 personave që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për personat tjerë”, u theksua nga Prokuroria.

Derisa numri i të arrestuarve në këtë rast vazhdon të jetë i njëjtë, grupi vazhdon të jetë i mbyllur duke shpresuar kështu që të mos çoj më deri në hapjen e serishme të tij.

Duhet përkujtuar se viktimë e këtij rasti ishte edhe një prej gazetareve kosovare, e cila kishte raportuar në lidhje me grupin famëkeq “Albkings”./Lajmi.net/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi