Projekti i planifikuar për ndërtimin e një kompleksi luksoz turistik në Shqipëri, i lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, ka shkaktuar zemërim publik dhe protesta në mbarë vendin. Edhe pse projekti u njoftua më shumë se dy vjet më parë, shumë detaje vazhdojnë të mbeten të paqarta. AFP sjell një përmbledhje të asaj që dihet deri më tani.
Fillimi i projektit
Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij Ivanka Trump njoftuan që në vitin 2024 planet për ndërtimin e hoteleve dhe vilave luksoze në Shqipëri. Projekti përfshin dy zona përgjatë bregdetit Adriatik: deltën e mbrojtur të Vjosës dhe Nartës, si dhe ishullin e pabanuar të Sazanit, i cili gjatë periudhës komuniste shërbente si bazë sekrete ushtarake.
Në fund të vitit 2024, qeveria shqiptare i dha statusin e “investitorit strategjik” kompanisë Atlantic Incubation Partners, e cila besohet të jetë e lidhur me fondin Affinity Partners të Kushnerit.
Sipas dokumenteve që ka parë AFP, ky status mundëson procedura të përshpejtuara administrative dhe mbështetje nga ministritë përkatëse. Ndërkohë, Ivanka Trump vizitoi rajonin e Vlorës së bashku me arkitektë dhe investitorë, ku u takua edhe me kryeministrin Edi Rama.
Kush qëndron pas investimit?
Vlera e investimit në ishullin e Sazanit vlerësohet në rreth 1.6 miliardë dollarë, ndërsa kryeministri Rama së fundmi përmendi një projekt me vlerë 4 miliardë euro që, sipas tij, do të përfshinte edhe zonën më të gjerë të Vlorës.
Nga fondi Affinity Partners i Kushnerit, AFP u drejtua te një agjenci e marrëdhënieve me publikun, e cila përcolli një deklaratë të Asher Abehsere, i prezantuar si president i kompanisë Sazan Real Estate Development. Kjo kompani përshkruhet si administratore e projektit në bashkëpunim me investitorë të ndryshëm.
“Presim me entuziazëm mundësinë për të krijuar një resort të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet private më të mëdha në historinë e këtij rajoni”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, AFP nuk arriti të gjejë asnjë regjistrim ligjor të një kompanie me këtë emër, ndërsa autoritetet shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Pse është projekti i diskutueshëm?
Organizatat mjedisore pretendojnë se projekti do të dëmtojë një zonë të mbrojtur natyrore, ndërsa kritikë të tjerë akuzojnë autoritetet për korrupsion.
Dhjetëra organizata joqeveritare kanë paralajmëruar për ndikimin potencialisht të dëmshëm në zonën e mbrojtur Vjosa-Nartë. Më shumë se 40 organizata i dërguan në janar një letër qeverisë duke kërkuar ndalimin urgjent të projektit.
Kritikët gjithashtu shtrojnë pyetje për origjinën e fondeve të përdorura për blerjen e tokave bregdetare dhe për ligjshmërinë e procedurave të ndjekura. Ashtu si në shumë zona të tjera të Shqipërisë, edhe këto prona janë subjekt i mosmarrëveshjeve pronësore që datojnë që nga rënia e komunizmit në vitet 1990.
Mijëra familje vazhdojnë të kërkojnë kthimin e pronave të trashëguara, të konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore, dhe disa prej tyre pretendojnë se kanë të drejta mbi tokat e planifikuara për ndërtim.
Hetimet dhe protestat
Pakënaqësia është përshkallëzuar ditët e fundit pasi në media u publikuan pamje të ekskavatorëve në plazh.
Të shtunën, protestuesit u përplasën me roje private sigurie në zonë, të revoltuar nga vendosja e telave me gjemba që pengojnë hyrjen e tyre në bregdet.
Mijëra protestues u mblodhën më pas për tri net radhazi në Tiranë, duke kërkuar ndërprerjen e projektit dhe kthimin e tokave tek pronarët e mëparshëm. Protesta të reja janë paralajmëruar edhe për ditët në vijim.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka nisur një hetim.
Sipas mediave, hetimi do të fokusohet në ndryshimet e statusit të zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, mënyrën se si zyrtarët kanë anashkaluar procedurat e tenderëve publikë dhe origjinën e fondeve të përdorura për blerjen e dokumenteve të pronësisë.
Prokuroria konfirmoi për AFP se hetimi ka nisur, por refuzoi të japë detaje të mëtejshme për shkak të procesit në zhvillim.
















