Prishtinë, hapet panairi me produkte bujqësore dhe agroindustriale

Në këtë panair ku kanë zënë vend me dhjetëra shtëpiza të vogla prej druri, kompani të ndryshme nga vendi dhe rajoni kanë vendosur produktet e tyre për promocion dhe shitje.

Në sheshin “Xhorxh Bush” në qendër të Prishtinës është hapur Panairi i Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2023”.

Panairi organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Në këtë panair ku kanë zënë vend me dhjetëra shtëpiza të vogla prej druri, kompani të ndryshme nga vendi dhe rajoni kanë vendosur produktet e tyre për promocion dhe shitje dhe për të krijuar mundësi partneriteti me kompani të tjera.

Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë dhe blejnë në këtë panair nga ushqimet tradicionale, turshitë, kavanozët me ajvar e reçel dhe prodhimet tjera bujqësore deri tek veshjet unike tradicionale, kafet dhe çaji.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se panairi ka rëndësi jo vetëm për vendin por edhe rajonin sepse i jep rëndësi ekonomike, strategjike dhe integruese dhe është hap i forcimit të partneritetit ndër-rajonal.

“Pjesëmarrja e kaq shumë kompanive dëshmon fuqinë integruese të këtij panairi dhe ky panair do ta shndërroj Prishtinën në kryeqytet të rajonit”, theksoi Rafuna.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ftoi qytetarët të bëhen pjesë e kësaj eksperience në këto ditë ku theksoi se me “secilën blerje bëheni pjesë forcimit të identitetit kombëtar dhe krijon të ardhme më të mirë ekonomike për Kosovën”.

“Këtu bëhen bashkë tradita dhe inovacioni duke na sjell para nesh bukurinë dhe cilësinë e prodhimeve vendore”, theksoi Zogaj.

Panairi do të jetë i hapur prej datës 25 deri më 27 tetor.

Kategoritë
Ekonomi