Polonia po plaket, regjistron numrin më të ulët të lindjeve që nga Lufta e Dytë Botërore

Polonia po shkon drejt plakjes për shkak të numrit të ulët të lindjeve. Enti Qendror Statistikor i Polonisë thekson se vitin e kaluar kanë lindur vetëm 305 mijë fëmijë, që është shifra më e ulët nga Lufta e Dytë Botërore.

Numri i popullatës është ulur për 141 mijë gjatë vitit 2022, në 37,77 milionë. Rënia e numrit të popullatës regjistrohet në mënyrë të vazhdueshme, që nga viti 2012, me përjashtim të një rritje të lehtë në vitin 2017.

Ulja e natalitetit në 2022 është si rezultat i 448 mijë vdekjeve dhe rreth 305 mijë lindjeve.

“Shkalla e fertilitetit ra nga 1,39 në 2020 në 1,33 në 2021, pra 100 gra në moshë fertiliteti (15 deri në 49 vjeç) kanë lindur 133 fëmijë”, thekson Enti Qendror i Statistikave.

Të dhënat e raportuara dëshmojnë gjithashtu se është regjistruar edhe rënie e numrit të martesave me 10 për qind midis 2011 dhe 2021, ndërsa numri i partneriteteve informale ka shënuar rritje me tre të katërtat.

Mes viteve 2011 dhe 2021, numri i martesave është ulur për 841 mijë. E rëndësishme është të theksohet se numri i martesave me fëmijë është ulur me 1,2 milion, ndërsa numri i martesave pa fëmijë është rritur me rreth 373 mijë. Përgjatë një dekade, në Poloni, numri i marrëdhënieve informale u rrit ndjeshëm, me 75 për qind.

Kategoritë
BotaLajme