Përgjysmohen investimet e huaja në Kosovë, shkak jostabiliteti politik dhe korrupsioni

Në pesë vitet e fundit, Kosova nuk është parë vend atraktiv në sytë e investitorëve të huaj për të investuar.

Investimet pothuajse janë përgjysmuar, e sipas njohësve të ekonomisë, për arsye të korrupsionit dhe situatës politike në vend.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, thotë për KosovaPress se është shqetësues fakti që korrupsioni ka ndikuar në rënien e investimeve të huaja në Kosovë dhe që ka penguar zhvillimin ekonomik.

Për këtë Ujkani ka kërkuar nga Qeveria e re që të punojë fort për përmirësimin e klimës të të bërit biznes.

Ujkani: Është fakt se korrupsioni ka ulur investimet e huaja

“Është konstatim tashmë i përgjithshëm në shoqërinë tonë se ka korrupsion në vendin tonë pa marrë parasysh a është i nivelit të lartë apo më pak, por ka prezencë të kësaj dukurie, atëherë pa shmangshëm korrupsioni ndikon edhe në çështjen ose në klimën e investimeve të huaja në vendin tonë. Kjo është një diçka që nuk ka nevojë të elaborohet më tepër, është fakt. Pra, prezenca e korrupsionit në një shoqëri ashtu si i dëmton të gjitha aspektet tjera pa shmangshëm e dëmton edhe zhvillimin ekonomik dhe rrjedhimisht edhe investimet e huaja”, thekson Ujkani.

Sipas Ujkanit ka rënie të dukshme të investimeve të huaja dhe stagnim, që siç thotë ai duhet trajtuar me prioritet të lartë nga institucionet përkatëse.

Ujkani: Viteve të fundit nuk ka pasur investitorë të ri

“Pse ka rënie, është shumë evidente dhe nuk ka asnjë dilemë ose thënë ndryshe nuk ka pasur investitorë të ri që kanë ardhur. Dhe kështu kemi stagnuar në një farë forme dhe realisht është një shqetësim që neve, gjithë qeverinë dhe të organet publike të këtij vendi duhet trajtuar me një prioritet shumë të lartë”, thotë ai.

Kreu i Këshillit të Investitorëve Evropianë ka kërkuar nga Qeveria e re zbatimin e ligjeve që ndërlidhen me investimet, si dhe ndërhyrjen e përmirësimit të klimës të të bërit biznes.

Ujkani: Qeveria e re ta përmirësojë klimën e të bërit biznes

“Qeveria e re duhet të merret më konkretisht me zbatimin e ligjeve që lidhen në fushën e të bërit biznes në vendin tonë, aty ku është e nevojshme të ndërhyjë dhe ta përmirësojë këtë klimë. Dhe kjo është mënyra se si mund të ecim përpara më së miri”, thekson Ujkani.

Ka pasur raste që disa investitorë edhe kanë ikur nga Kosova, për shkaqe të ndryshme që kanë të bëjnë me korrupsion dhe ryshfet.

Në anën tjetër, sipas BQK-së Investimet e Huaj Direkte (IHD) në Kosovë në 2020 pati investime 321.7 milionë euro, ndërsa më 2019 ishin 254.6 milionë euro, ose 67 milionë më pak.

Përkundër trendit pozitiv të IHD-ve në vitin 2019 (një rritje e vogël) në krahasim me vitin 2018, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, IHD-të pësuan rënie të konsiderueshme gjatë vitit 2018 dhe 2017, duke lënë Kosovën si një vend jo tërheqës për investime të huaja e sidomos larg tërheqjes së investimeve nga korporatat dhe markat e mëdha botërore.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi