Ministri danez për Imigracion, Morten Bødskov, të mërkurën paralajmëroi plane për ndalimin e ezanit islam, duke thënë se disa pjesë të vendit kanë filluar të duken si “periferi e Islamabadit”.
Kjo është hera e tretë që një ministër danez për imigracion përpiqet të krijojë një kornizë ligjore për ndalimin e thirrjes publike për namaz, pas nismave të ngjashme të socialdemokratëve në vitet 2020 dhe 2025.
Ministri paralajmëroi se “islamizimi gradual” po zë shumë hapësirë në jetën publike të vendit.
“Kjo nuk ka vend në Danimarkë dhe nuk duhet të keni dilemë nëse keni përfunduar në një periferi të Islamabadit teksa shëtisni nëpër Danimarkë”, tha ai.
Bødskov konfirmoi se qeveria e sapozgjedhur daneze do të vazhdojë shqyrtimin e ligjshmërisë së vendosjes së një ndalimi në nivel të gjithë shtetit.
Në disa pjesë të Danimarkës, përfshirë Kopenhagën, rregulloret ekzistuese tashmë ndalojnë transmetimin e ezanit përmes altoparlantëve për shkak të rregullave të rrepta për zhurmën.
Xhamia e Madhe në Kopenhagë funksionon sipas një marrëveshjeje të veçantë me autoritetet lokale, sipas së cilës nuk e transmeton fare ezanin në hapësirë të jashtme.
Në Danimarkë jetojnë afërsisht 270 mijë myslimanë dhe ekzistojnë rreth 100 xhami, ndërsa popullsia e përgjithshme e vendit është rreth gjashtë milionë banorë.
Një ndalim në nivel kombëtar do të përballej me pengesa të mëdha ligjore. Ekspertët juridikë të qeverisë do të duhet të peshojnë të drejtën e garantuar me kushtetutë për shprehje publike të fesë dhe shqetësimet e banorëve që jetojnë pranë xhamive.
Ekzistojnë përjashtime nga kjo mbrojtje, përfshirë ndalimet e predikimeve antidemokratike dhe donacioneve për organizata të ndaluara, por shprehja fetare deri më tani nuk është kufizuar mbi bazat që propozon Bødskov.
Në Gjermani dhe në Britaninë e Madhe, xhamitë u nënshtrohen kufizimeve të rrepta se kur dhe me çfarë niveli zëri mund ta transmetojnë ezanin, por nuk ekzistojnë ndalime të plota kombëtare.
Mandati i tretë i Frederiksenit dhe një nga politikat më të ashpra të migracionit në Evropë
Njoftimi vjen në një kohë kur kryeministrja Mette Frederiksen nis mandatin e saj të tretë pas zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura në mars, të cilat i shpalli duke kërkuar një mandat më të fortë për t’u përballur me kërcënimet e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Grenlandën.
Edhe pse nuk fitoi shumicën parlamentare, Frederiksen formoi një koalicion katërpartiak me partinë centriste Moderati, Social-Liberalët dhe të Majtën e Gjelbër, të quajtur koalicioni i “tërfilit me katër fletë”, ndërsa mbështetet edhe në përkrahjen shtesë të Aleancës së Kuqe-Gjelbër ekosocialiste.
Nën udhëheqjen e Frederiksenit, Danimarka ka miratuar disa nga politikat më të ashpra të migracionit në Evropë.
Sipas ligjit kontrovers për “getot”, autoritetet mund t’i detyrojnë migrantët të zhvendosen nga lagjet që konsiderohen se kanë përqendrim tepër të madh të banorëve të lindur jashtë vendit.
Azilkërkuesit mund të detyrohen të dorëzojnë stoli dhe sende të tjera me vlerë për të mbuluar shpenzimet e strehimit të tyre, ndërsa ata të cilëve u refuzohet kërkesa për azil nuk marrin asnjë ndihmë financiare.
Në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015, Danimarka pranoi dukshëm më pak azilkërkues se shumica e fqinjëve të saj evropianë.
Modeli i socialdemokratëve, i cili kombinon politikën ekonomike me prirje të majta me qëndrime shumë të ashpra ndaj imigracionit, ka tërhequr vëmendje në mbarë Evropën, përfshirë edhe te politikanët centristë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët e përmendin Danimarkën si shembull të politikës së ashtuquajtur “e majta me nivel të ulët imigracioni”.













