Akademikja izraelite, Prof. Dr. Nurit Peled-Elhanan, deklaroi se librat shkollorë që përdoren në shkollat publike të Izraelit i bëjnë palestinezët sistematikisht të padukshëm, ndërsa në rastet kur përmenden, ata nuk paraqiten si individë, por si një “kërcënim i brendshëm” dhe si një “problem që duhet zgjidhur”.
Prof. Dr. Nurit Peled-Elhanan, profesoreshë e pensionuar e Departamentit të Gjuhës dhe Edukimit në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, e cila në vitin 2001 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Sakharov për punën e saj në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit, bëri vlerësime të rëndësishme lidhur me sistemin arsimor izraelit.
Peled-Elhanan, e cila prej shumë vitesh studion librat shkollorë në Izrael, pretendoi se materialet arsimore nuk përdoren vetëm për transmetimin e njohurive, por edhe si mjete ideologjike që formësojnë perceptimin e nxënësve për palestinezët dhe realitetin historik të rajonit.
PRETENDON SE PALESTINEZËT NUK KANË VEND NË LIBRAT SHKOLLORË
Në një prononcim për Anadolu, Peled-Elhanan tha se hulumtimet e saj janë përqendruar në librat kryesorë shkollorë që përdoren në shkollat publike laike të Izraelit.
Sipas saj, përfundimi më i rëndësishëm i analizave është se palestinezët janë bërë pothuajse tërësisht të padukshëm në materialet mësimore. Akademikja tha se palestinezët nuk paraqiten në libra si individë.
Sipas Peled-Elhananit, palestinezët në materialet arsimore trajtohen kryesisht jo si një popull apo shoqëri, por si një kërcënim për sigurinë ose si një çështje që duhet zgjidhur.
Ajo deklaroi se kjo qasje bën që nxënësit të edukohen që në vitet e shkollës me një këndvështrim të njëanshëm.
“IDENTITETI KULTUROR DHE SHKENCOR I PALESTINEZËVE SHPËRFILLET”
Peled-Elhanan pretendoi se trashëgimia kulturore dhe akademike e shoqërisë palestineze nuk gjen vend në librat shkollorë.
Ajo tha se nxënësit e vazhdojnë arsimimin pa marrë asnjë informacion për shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, akademikët apo muzikantët palestinezë.
Sipas saj, kjo situatë nuk krijon vetëm mungesë informacioni, por dobëson dhe fshin përmes arsimit dimensionin njerëzor të palestinezëve, duke e paraqitur të gjithë shoqërinë si një problem të vetëm sigurie.
Akademikja pretendoi se me kalimin e kohës kjo qasje mund të krijojë terren edhe për legjitimimin e dhunës shoqërore.
Ajo theksoi se sistemi arsimor nuk përbëhet vetëm nga librat shkollorë, por se familja, kultura, letërsia dhe diskurset ndaj të cilave ekspozohen fëmijët që në moshë të vogël janë gjithashtu pjesë e së njëjtës kornizë.
PRETENDIMI SE NË HARTA PARAQITET “IZRAELI I MADH” NË VEND TË PALESTINËS
Peled-Elhanan tha se kritikat e saj nuk kufizohen vetëm te tekstet dhe se edhe hartat e përdorura në librat shkollorë pasqyrojnë një qasje të ngjashme.
Ajo pretendoi se Bregu Perëndimor paraqitet në harta si pjesë natyrore e Izraelit, ndërsa një pjesë e madhe e vendbanimeve arabe brenda kufijve të Izraelit nuk shfaqet fare.
Ndërkohë, sipas saj, vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor paraqiten në harta, gjë që ndikon drejtpërdrejt në perceptimin gjeografik dhe historik të fëmijëve.
Peled-Elhanan pretendoi se, për këtë arsye, nxënësit mund t’i perceptojnë palestinezët si palën që ka pushtuar tokën e tyre.
KRITIKA NDAJ RRËFIMIT HISTORIK
Akademikja izraelite tha se në fund të viteve 1990 disa historianë ndërmorën nisma që ngjarje si Deir Yassin dhe Kafr Qasim të trajtoheshin në librat shkollorë nga një këndvështrim tjetër, por se rrëfimi i përgjithshëm nuk ndryshoi.
Ajo deklaroi se palestinezët në materialet mësimore shpesh nuk përkufizohen me identitetin “palestinez”, por me shprehjen “arabë izraelitë”.
Peled-Elhanan pretendoi gjithashtu se mënyra e paraqitjes së ngjarjeve historike është ndërtuar në mënyrë që të mbështesë narrativën zyrtare.
“EDUKIMI PËR HOLOKAUSTIN KRIJON NJË IDENTITET TË BAZUAR NË FRIKË”
Peled-Elhanan tha se edukimi për Holokaustin zë një vend qendror në formësimin e identitetit kombëtar në Izrael dhe pretendoi se ky edukim nuk synon vetëm mësimin e historisë.
Ajo tha se rrëfimi për Holokaustin trajtohet në mënyrë që të krijojë te nxënësit një perceptim të vazhdueshëm kërcënimi.
Sipas saj, edhe udhëzuesit e mësuesve për grupmoshat e vogla janë përgatitur në përputhje me këtë qasje.
Peled-Elhanan pretendoi se kjo mënyrë e edukimit e forcon ndarjen ndërmjet “nesh” dhe “të tjerëve” në shoqëri.
Ajo shtoi se edhe historia dhe kultura e komuniteteve të ndryshme hebraike në Izrael nuk përfshihen në mënyrë të mjaftueshme në programet mësimore.
VLERËSIME PËR GAZËN DHE REAGIMET NDËRKOMBËTARE
Peled-Elhanan pretendoi se edhe zhvillimet në Gazë trajtohen në kuadër të së njëjtës kornizë arsimore dhe diskursive, ndërsa narrativi zyrtar ndërtohet mbi një këndvështrim të përqendruar te siguria.
Ajo deklaroi se qarqet akademike dhe politike evropiane nuk kanë reaguar mjaftueshëm fuqishëm ndaj kritikave për sistemin arsimor izraelit.
Peled-Elhanan pretendoi gjithashtu se librat shkollorë palestinezë u nënshtrohen censurës si nga Izraeli, ashtu edhe përmes disa mekanizmave ndërkombëtarë.
Në fund, ajo tha se Ministria izraelite e Arsimit ndërhyn drejtpërdrejt në kurrikulën palestineze që zbatohet në Jerusalemin Lindor dhe theksoi se politikat arsimore luajnë një rol të rëndësishëm në konfliktet dhe debatet mbi identitetin në rajon.
















