Kosovë, rreth 30 mijë të rinj punojnë në sektorin e “Call Center”

Udhëheqës të institucioneve dhe kompanive të ndryshme të këtij sektori kanë llogaritur se në Kosovë rreth 30 mijë të rinj punojnë në sektorin e “Call Center” derisa kanë shprehur besimin se vendi ka potencial edhe për një numër më të madh punëtorësh.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane ka mbajtur në Prishtinë një panel për sektorin e “Call Center” (Qendra e Thirrjeve), si mundësi dhe perspektivë për gjermanisht-folësit në Kosovë, transmeton Anadolu.

Në këtë panel, udhëheqës të institucioneve dhe kompanive të ndryshme të këtij sektori kanë llogaritur se në Kosovë rreth 30 mijë të rinj punojnë në sektorin e “Call Center” derisa kanë shprehur besimin se vendi ka potencial edhe për një numër më të madh punëtorësh.

Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, tha se bashkë me ambasadën gjermane në Kosovë kanë krijuar grupin e kompanive të pastërta në këtë veprimtari, derisa tha se në këtë sektor “ka edhe kompani të cilat mashtrojnë tregun gjermanisht-folës”.

Udhëheqësit e kompanive të kësaj veprimtarie para të rinjve në panel treguan për mënyrën se si funksionojnë kompanitë e tyre, numrin e punëtorëve dhe për synimet.

Ata shtruan kërkesë që gjuha gjermane të futet edhe në shkollë fillore në Kosovë për shkak të raportit të mirë ndër vite me shtetet gjermanisht-folëse dhe punësimit të madh që po vjen nga ky drejtim.

Interesimi i madh për të studiuar gjuhën gjermane u konfirmua edhe nga profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Blerta Ismajli.

“Çdo vit regjistrohen nga 120 studentë në degën tonë. Konkurrenca është e lartë, 3.5 studentë garojnë për një vend”, tha Ismajli, duke treguar se pikërisht sot ishte 30-vjetori i këtij departamenti në Universitetin e Prishtinës.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi