Kosovë, rënia ekonomike këtë vit do të jetë rreth 7.2 për qind

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti tha se kjo rënie ekonomike lidhet me masat e ndërmarra nga institucionet e larta në vend për pengimin e përhapjes së COVID-19.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB), kanë parashikuar se gjatë vitit 2020 Kosova do të shënojë rënie ekonomike në rreth 7.2 për qind.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti deklaroi se kjo rënie ekonomike lidhet me masat e ndërmarra nga institucionet e larta në vend për pengimin e përhapjes së pandemisë, duke ndikuar tek bizneset.

“Parashikimet e BQK-së janë që ekonomia do të shënojë rënie prej 7.2 për qind. Këto parashikime mund të rishikohen përsëri duke i pasur parasysh pasiguritë e shumta që kanë të bëjnë me zhvillimin e pandemisë gjatë muajve në vijim dhe, rrjedhimisht, masat që mund të ndërmerren nga autoritetet përgjegjëse për ta menaxhuar situatën e pandemisë. Shkaktarët e rënies së ekonomisë lidhen me masat e ndërmarra për pengimin e përhapjes së pandemisë të cilat kanë ndikuar negativisht në nivelin e konsumit por edhe nivelin e investimeve në vend”, tha Mehmeti.

Rënia e konsumit në Kosovë siç u tha në këtë konferencë, ndikoi në uljen e importit të mallrave me 9.9 për qind.

Sipas Mehmetit, përveç faktorëve të brendshëm në uljen e konsumit dhe investimeve, një nga faktorët tjerë që ka ndikuar në uljen e kërkesave është rënia e vizitave nga diaspora. Por, përkundër uljes së kërkesave, diaspora ka dërguar për 10 për qind më shumë para në vendlindje, krahasuar me vitin 2019.

“Kur jemi te lidhja e diasporës me ekonominë tonë, një faktor që ka ndikuar shumë në zbutjen e krizës kanë qenë remitencat, të cilat edhe në këto kohë shumë të vështira për ekonominë botërore, vazhduan rrjedhën e qëndrueshme drejt ekonomisë tonë. Vlera e remitencave të pranuara deri në gusht 2020 ishte 608.6 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 10 për qind”, theksoi guvernatori Mehmeti.

Duke folur për sektorin bankar në Kosovë, Mehmeti tha se ai është stabil dhe likuid.

Siç u bë e ditur në konferencë, depozitat vazhdojnë të përfaqësojnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar të cilat shënuar rritje vjetore prej 8.6 për qind. Nga këto depozita, depozitat e ekonomive familjare përfaqësojnë 67 për qind të gjithsej depozitave në sektorin bankar, të cilat kanë shënuar rritje prej 7 për qind krahasuar me periudhën deri në shtator 2019 – shtator 2020.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi