Drejtoria e Tatimeve të Kroacisë ka publikuar të dhëna mbi qarkullimin fiskal gjatë gjithë ditës së djeshme, kur u zhvillua bojkoti i dyqaneve në këtë shtet, si një shprehje pakënaqësie ndaj çmimeve të larta.
Sipas tyre, dje numri total i faturave fiskale në të gjitha sektorët ishte 5.09 milionë, ndërsa shuma totale e faturave arriti në 78.37 milionë euro. Për krahasim, të premten e kaluar, më 17 janar, numri total i faturave ishte 7.19 milionë dhe shuma totale e faturave ishte 121.89 milionë euro.
Kështu, numri i faturave të djeshme, krahasuar me të premten e kaluar, ishte 29% më i ulët, ndërsa shuma totale e faturave ishte 36% më e ulët.
Sa i përket tregtisë me pakicë, dje numri total i faturave ishte 2.08 milionë, ndërsa shuma totale e faturave ishte 28.6 milionë euro. Për krahasim, të premten e kaluar numri total i faturave ishte 3.69 milionë, ndërsa shuma totale e faturave ishte 60.56 milionë euro.
Kështu, numri i faturave në tregtinë me pakicë krahasuar me të premten e kaluar ishte 44% më i ulët, ndërsa shuma totale e faturave ishte 53% më e ulët.
Nga Qendra Evropiane për Ekselencë të Konsumatorit (ECIP), një organizatë për mbrojtjen e konsumatorëve, përmes rrjeteve sociale, kryesisht faqes në Facebook “Halo, inspektore”, bënë thirrje për bojkotin e dyqaneve në Kroaci. Në këtë organizatë nuk prisnin një pjesëmarrje kaq të lartë në bojkot, i cili u mbështet edhe nga sindikalistët.
Qytetarët janë të vetëdijshëm se me këtë veprim nuk do të ndryshojnë menjëherë gjërat, por se kështu do t’u dërgojnë një mesazh autoriteteve që diçka nuk shkon dhe duhet të ndryshohet. Megjithatë, disa mbështetës të bojkotit besojnë se ai mund të sjellë ndryshime të shpejta, duke sjellë si shembull bojkotet në Turqi, Itali dhe Britaninë e Madhe.
Autoritetet deklaruan se e kanë kuptuar mesazhin e qytetarëve dhe njoftuan masa të tjera kundër inflacionit. Ndërkohë, në Kroaci po përmendet mundësia e një bojkoti të ri.
Disa njerëz edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë mendojnë se edhe aty duhet t’i përgjigjen çmimeve të larta me bojkot të dyqaneve.