Ish-presidenti Trump: Vaksina është e mirë, mbështetësit e mi ta marrin

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u bën thirrje mbështetësve republikanë të vaksinohen kundër koronavirusit. Në një intervistë për FOX News ai tha se vaksina është e sigurt dhe funksionon.

“Unë do t’ia rekomandoj shumë njerëzve, e shumë prej atyre që votuan për mua, sinqerisht. Por siç e dini, jemi të lirë të zgjedhim. Por më duhet të them se është një vaksinë shumë e mirë, e sigurt, diçka që funksionon”, deklaroi ai.

Baza konservatore e mbështetësve të Trump është mes grupeve kryesore që po i reziston programit të imunizimit. Edhe vetë ish-presidenti u kritikua gjatë kohës në detyrë për faktin se minimizoi seriozitetin e pandemisë, raporton A2.

Ndërsa programi i vaksinimi është shtrirë në të gjithë Shtetet e Bashkuara, të gjithë ish-presidentët ende në jetë u kanë kërkuar publikisht amerikanëve të marrin vaksinën. Megjithatë Trump, deri më tani, kishte qëndruar në heshtje lidhur me çështjen. Ai dhe bashkëshortja Melania, e morën vaksinën në mënyrë të fshehtë, në Shtëpinë e Bardhë gjatë muajit janar.

Një sondazh i zhvilluar së fundmi nga CBS, sugjeroi se një e treta e republikanëve kanë thënë se nuk do ta marrin vaksinën kur ajo të jetë e disponueshme, krahasuar me 10 për qind të demokratëve.

Kategoritë
BotaLajme