Haaretz: Duke parë serbët teksa vajtojnë për Mladićin, shihet e ardhmja rrëqethëse e Izraelit

Reagimet në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska pas vdekjes së kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mladić shkaktuan neveri në mbarë botën, por në Tel Aviv zgjuan një ndjenjë krejt tjetër: ndjenjën rrëqethëse të njohjes së vetvetes.

Reagimet në Serbi pas vdekjes së kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mladić shkaktuan indinjatë në opinionin ndërkombëtar, por në Tel Aviv zgjuan një ndjenjë të thellë dhe shqetësuese të njohjes së vetvetes. Në një analizë të gjatë për gazetën më prestigjioze izraelite, Haaretz, analistja politike Dahlia Scheindlin bën një paralelizëm të fortë ndërmjet mënyrës se si shoqëria serbe i mohon krimet e viteve ’90 dhe gjendjes së tanishme politike e shoqërore në Izrael si pasojë e luftës në Gaza.

Scheindlin rikujton rolin e Mladićit si komandant ushtarak i Ushtrisë së serbëve të Bosnjës, i cili në vitin 2017 u dënua nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë për gjenocid dhe krime të tjera lufte kundër boshnjakëve.

Fytyra e tij, siç shkruan ajo, do të mbetet përgjithmonë simbol i akteve të neveritshme në Bosnjë-Hercegovinë, të cilat në fillim të viteve ’90 tronditën botën dhe vetë atë, në kohën kur ishte studente. Megjithatë, në vend të dënimit, Serbia i organizoi një përcjellje të denjë për një hero, me flamuj të ulur në gjysmështizë dhe me lavdërime të zjarrta nga politikanët e linjës së ashpër.

“Si mund të mbeten serbët pa u penduar? Vallë, tridhjetë vjet pas përfundimit të luftës, ende nuk i dënojnë vuajtjet nga uria të boshnjakëve pas telave me gjemba, përdhunimet masive dhe eshtrat e varrosura në tokën e Srebrenicës?”, pyet autorja.

Duke i parë këto pamje nga Tel Avivi, ajo thekson se nuk ndjeu habi, por një afërsi rrëqethëse.

“Bota pyeste se si mund ta pranonte Izraeli atë që po bën në Gaza prej tre vjetësh. Përgjigjja e Serbisë ishte sikur të shihje fantazmën e së ardhmes së vetë Izraelit”, shkruan Scheindlin, duke shtruar pyetjen për të ardhmen:

“E pyeta të ardhmen: A është e vërtetë? A do ta bekojnë solemnisht izraelitët, pas tridhjetë vjetësh, Benjamin Netanyahun si hero të mbrojtjes? Po Yoav Gallant, ministri i Mbrojtjes gjatë vitit të parë të luftës në Gaza, njeriu që mbështeti një rrethim kolektiv dhe hermetik dhe udhëhoqi një luftë të pamëshirshme, e cila mori të paktën po aq jetë civilësh sa më shumë se 41 mijë të vrarët në Bosnjë? Dhe këta janë vetëm dy izraelitët që përballen me aktakuza nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.”

Duke analizuar reagimet në hapësirën e ish-Jugosllavisë, Scheindlin thekson se vdekja e një krimineli lufte nuk sjell shërim dhe as nuk i mbyll automatikisht plagët.

Në tekst ajo përcjell fjalët e Emir Suljagićit, drejtorit të Qendrës Memoriale të Srebrenicës dhe një njeriu që vetë i mbijetoi gjenocidit. Suljagić shkroi në platformën X se e kishte ndërtuar një jetë më të mirë pa pritur vdekjen e Mladićit:

“Nuk di çfarë të them dhe as nuk dua të komentoj për neverinë që vdiq në njësinë e paraburgimit të OKB-së në Scheveningen. Në vend të kësaj, i ndihmova vajzat e mia të bënin ‘stoli’… Lexuam tregime para gjumit. I vura të dyja në gjumë. Jeta ime vazhdon. Fëmijët e mi nuk do të rriten nën të njëjtat hije në të cilat u rrita unë.”

Autorja përmend gjithashtu vëzhgimet e intelektualit të njohur kosovar Veton Surroi, i cili rikujtoi fotografinë e famshme ku Mladići, me një bujari të rreme, përkëdhel në kokë një djalosh boshnjak, ndërkohë që praktikisht në të njëjtin çast jep urdhër që babai i tij të vritet së bashku me më shumë se tetë mijë njerëz të tjerë.

Surroi rikujton se autoritetet serbe për vite me radhë i mbrojtën Mladićin dhe Radovan Karadžićin nga drejtësia ndërkombëtare, ndërsa përfundon:

“Trupi i tij mund të jetë vendosur në arkivol, por gjenerali Mladić vazhdon të jetojë.”

Mësimi për Izraelin

Nga këto përvoja, Scheindlin nxjerr një mësim kyç për Lindjen e Mesme: bashkësia ndërkombëtare në vitin 1995, në Bosnjë-Hercegovinë, nuk priti që palët të fillonin t’i besonin njëra-tjetrës përpara se t’ua impononte marrëveshjen e paqes.

“E përkthyer në marrëdhëniet izraelito-palestineze, askush nuk duhet të presë kurrë ‘ndërtimin e besimit’ dhe as ta kushtëzojë paqen me të. Lufta, pushtimi dhe vrasjet duhet të ndalen menjëherë dhe jo pasi të presim që njerëzit të fillojnë të ndihen rehat me njëri-tjetrin, sepse kjo, me shumë gjasë, nuk do të ndodhë”, shprehet prerazi autorja.

Megjithatë, ajo thekson se shoqëria serbe nuk është plotësisht homogjene. Në tekst citohet deklarata e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, të drejtuar nga Sonja Biserko. Në deklaratën dërguar gazetës Haaretz, organizata thekson qartë:

“Serbia nuk është përballur kurrë sinqerisht me disfatën e politikës që çoi në luftërat e viteve ’90 dhe as me pasojat e saj. Në vend të një rishqyrtimi kritik të asaj politike, të përgjegjësisë për të dhe të viktimave të mëdha njerëzore e politike që ajo prodhoi, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë serbe vazhdon ta pranojë narrativën në të cilën luftërat paraqiten si padrejtësi historike ndaj serbëve.”

Biserko paralajmëron se kjo narrativë gjen jehonë edhe te brezi i ri, i cili e sheh veten si bartës të ndryshimeve demokratike. Ajo thekson se demokratizimi i vërtetë kërkon “një shkëputje themelore nga ideologjia që justifikonte luftën, zgjerimin territorial dhe dhunën në emër të kombit serb”.

Scheindlin rikujton edhe shembujt pozitivë, si të rinjtë në Novi Sad që grisën posterët me portretin e Mladićit, duke thirrur: “Kriminel, jo hero!” dhe “Serbët nuk janë popull gjenocidal”, si dhe qytetarët e shumtë që prej vitesh i dënojnë qartë në publik krimet e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Në fund të analizës së saj të gjatë, analistja izraelite u referohet përfundimeve të historianëve dhe teoricienëve si Hannah Arendt dhe Christopher Browning, të cilët kanë dëshmuar se, në rrethana të përshtatshme dhe të tmerrshme, çdokush mund të shndërrohet në kriminel dhe vrasës.

“Fakti që keni qenë viktimë e një krimi nuk ju ofron kurrfarë mbrojtjeje që të mos bëheni vetë autor i krimit. Përkundrazi, shumë shpesh kjo na bën të verbër ndaj vetë mundësisë që dhuna jonë të jetë ndonjëherë krim, sepse gjithçka shndërrohet në ‘vetëmbrojtje’”, paralajmëron Scheindlin.

Ajo shpjegon se si serbët gjatë viteve ’90 ishin të bindur se ishin viktima të historisë, duke i ndërlidhur thashethemet për shqiptarët në Kosovë me traumat e Luftës së Dytë Botërore dhe krimet e ustashëve, e deri te disfata nga Perandoria Osmane në vitin 1389.

Kjo traumë reale dhe mitike shpërtheu në formën e një kërcënimi ekzistencial, të cilin e shfrytëzuan udhëheqësit e etur për pushtet, duke e përshkuar shoqërinë me nacionalizëm nëpërmjet muzikës turbo-folk dhe punimeve akademike.

“Si hebreje, ajo që më përndjek nuk është vetëm mënyra se si një popull mund të masakrohet ose si bota mund të mobilizohet për ta ndalur një mizori të tillë. Besoj se pyetja më urgjente që të gjitha shoqëritë duhet t’ia bëjnë vetes është: Si do ta dalloni kriminelin kur të shfaqet mes jush, në emrin tuaj dhe në emër të fëmijëve tuaj, për t’i legjitimuar krimet e tij kundër të tjerëve? Si do ta kuptoni se jeni shfrytëzuar dhe çfarë do të bëni për t’i ndalur krimet?”, përfundon Dahlia Scheindlin në Haaretz.

Kategoritë
BotaLajme