Gjukanoviç-Osmani: Mali i Zi dhe Kosova të përkushtuara ndaj vlerave evropiane

“Mali i Zi është një vend që mbështet bashkëpunimin rajonal ndërsa konstante në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës është përkushtimi ndaj vlerave evropiane”, tha presidenti malazez Gjukanoviç

Mali i Zi është një vend që mbështet bashkëpunimin rajonal ndërsa konstante në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës është përkushtimi ndaj vlerave evropiane, tha presidenti malazez Milo Gjukanoviç, raporton Anadolu.

Ai këtë e tha pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot po qëndron për vizitë në Mal të Zi.

Gjukanoviç rikujtoi se kjo është vizita e parë zyrtare e një presidenti të Kosovës në Mal të Zi që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.

“Jam i bindur se frekuenca dhe dialogu i mirë do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Konstante në marrëdhëniet mes dy vendeve është përkushtimi ndaj vlerave evropiane”, tha Gjukanoviç.

Ai shtoi se kjo është mënyra e vetme për të konsoliduar stabilitetin.

“Ne i kuptojmë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, të jetë pjesë e partneritetit për paqe dhe të marrë statusin e kandidatit për në BE. Jo vetëm që e kuptojmë, por edhe e mbështesim. Shpresojmë se Parlamenti Evropian do të pranojë rekomandimin e komisionit dhe do të sigurojë regjim pa viza për qytetarët e Kosovës, në masën ku qytetarët mund të njihen me BE-në, në atë masë do të jemi në gjendje të afirmojmë vlerat e BE-së dhe qëllimet e rajonit”, tha Gjukanoviç.

Ai theksoi se është biseduar për çështje dypalëshe dhe ka vlerësuar se marrëdhëniet janë miqësore, por se në të gjitha marrëdhëniet ka vend për përmirësim.

“Ne ende duhet të punojmë për një pikëpamje më të qartë dhe identifikim kushtetues të pakicës malazeze në Kosovë. Mirëpresim atë që është bërë në Kosovë që nga vizita ime e deri më sot. Tashmë janë krijuar kushtet më të mira për pakicën malazeze në organet kosovare”, theksoi Gjukanoviç.

Presidenti malazez iu referua edhe ngjarjeve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi të bindur se mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme. Ne mbështesim Kosovën. Ne bëjmë të njëjtën gjë edhe në marrëdhëniet tona me Serbinë”, tha Gjukanoviç.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se si dy shtete të pavarura sovrane, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi janë më të veçanta për shkak të marrëdhënieve ndërpersonale, por edhe për shkak të përfshirjes së komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe atij malazez në Kosovë.

“Është e vërtetë që po takohemi në një kohë sfiduese për të gjithë kontinentin. Prandaj është e rëndësishme që kjo vizitë të bëhet në një vend mik”, tha Osmani.

Ajo theksoi se është në interes të të dy vendeve që të vazhdojnë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në strukturat evropiane.

Kategoritë
LajmeVendi