Frika nga Rusia nuk ka qenë kurrë më e madhe: Evropa Lindore hap kuletën për ta kënaqur Amerikën

Vendet anëtare të NATO-s nga Evropa Lindore janë të gatshme të marrin përsipër një pjesë më të madhe të kostove për trupat amerikane të stacionuara në territoret e tyre. Qëllimi kryesor është i qartë: të bindin administratën e Donald Trumpit që të mos reduktojë praninë ushtarake amerikane në këtë pjesë të Evropës, bëjnë të ditur burime të mirëinformuara.

Kjo ofertë financiare po përgatitet intensivisht para takimit të aleancës me nënsekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikë, Elbridge Colby, që do të mbahet më 27 gusht në Bruksel.

Ky hap pasqyron nevojën urgjente të aleatëve lindorë për ta mbajtur ushtrinë amerikane si një mjet të besueshëm parandalues ndaj kërcënimit rus, ndërkohë që Pentagoni po zhvillon një rishikim gjashtëmujor të pranisë së tij ushtarake në Evropë.

Rishikimi përfshin edhe një pyetësor të pazakontë amerikan, me afat dorëzimi deri më 28 gusht, i cili gjatë verës i ka zënë në befasi kryeqytetet evropiane. Dokumenti, të cilin e ka parë Bloomberg, vlerëson nivelin e mbështetjes për planet e Trumpit.

Washingtoni, ndër të tjera, i pyet drejtpërdrejt aleatët nëse kanë “mbështetur publikisht” politikën e jashtme amerikane, nëse ekzistojnë kufizime për përdorimin e bazave ushtarake amerikane për qëllimet e SHBA-së dhe nëse shtetet shpenzojnë para për kontrata me kompanitë amerikane të industrisë së mbrojtjes.

Numri i trupave amerikane në Evropë varion nga 80 mijë deri në 100 mijë, ndërsa më shumë se një e treta e tyre janë të stacionuara në Gjermani.

Evropa Lindore pret një numër dukshëm më të vogël ushtarësh, nga disa qindra në vendet baltike deri në disa mijëra në Poloni.

Vendet e krahut lindor të NATO-s nuk e fshehin dëshirën e tyre të fortë për të mbajtur sa më shumë trupa amerikane, gjë që shpjegon edhe gatishmërinë e tyre për të mbuluar vetë një pjesë më të madhe të kostove të qëndrimit të tyre.

Frikë nga hakmarrja për shkak të luftës në Iran

Në të njëjtën kohë, anëtaret më të mëdha evropiane të NATO-s po negociojnë për një përgjigje të koordinuar ndaj pyetësorit, me synimin për të shmangur zemërimin e presidentit amerikan.

Pakënaqësia e Trumpit ndaj aleatëve u përshkallëzua pasi evropianët refuzuan të merrnin pjesë në luftën amerikano-izraelite kundër Iranit.

Shumë aleatë e shohin këtë pyetësor, i cili i atribuohet Colbyt, si një përpjekje të Washingtonit për t’i detyruar ata të rreshtohen ideologjikisht në këmbim të mbrojtjes ushtarake.

Megjithatë, pas tronditjes fillestare, mes vendeve evropiane është arritur një konsensus që pyetësorit t’i përgjigjen në mënyrë konstruktive dhe të përgjithshme, me mesazhin e përbashkët se e gjithë aleanca vazhdon ta dëshirojë dhe ta ketë të nevojshme praninë ushtarake të SHBA-së në Evropë.

“Ka çështje për të cilat pajtohemi me SHBA-në dhe të tjera për të cilat nuk pajtohemi. Me kalimin e kohës do t’i përgjigjemi këtij pyetësori. Nuk e shoh si presion, kjo është thjesht mënyra se si funksionon administrata aktuale amerikane”, deklaroi presidenti finlandez Alexander Stubb.

Nga ana tjetër, ish-zëdhënësja e NATO-s dhe ekspertja e think-tankut britanik RUSI, Oana Lungescu, paralajmëroi se një qasje e tillë nxit konkurrencë mes aleatëve për t’iu “lajkatuar” Washingtonit.

Ajo theksoi se administrata Trump duket se mbështetet më shumë te “besnikëria e perceptuar, afërsia ideologjike dhe tekat presidenciale sesa te strategjia afatgjatë, vlerësimi i kërcënimeve dhe nevoja për unitetin e NATO-s”.

Rishikimi amerikan pritet të përfundojë deri në dhjetor.

Megjithëse besohej se Trump kishte hequr dorë nga rishikimi global i forcave ushtarake të paralajmëruar më herët, ai është rikthyer vetëm si një “projekt evropian”, si reagim ndaj mungesës së mbështetjes për luftën e tij në Iran.

Edhe pse shumica e vendeve evropiane, me përjashtim të Spanjës, i lejuan SHBA-së përdorimin e bazave ajrore për fluturime ushtarake drejt Lindjes së Mesme, kritikat publike të luftës nga disa liderë evropianë ishin të mjaftueshme për ta zemëruar Trumpin.

Shumë shtete pritet t’u japin vetëm përgjigje të përgjithshme pyetjeve të pazakonta nga Washingtoni, për të shmangur një qëndrim të drejtpërdrejtë nëse janë të gatshme të dënojnë politikën evropiane të industrisë së mbrojtjes për blerjen e produkteve “të prodhuara në Evropë”.

Disa aleatë privatisht dyshojnë në seriozitetin e pyetësorit dhe mendojnë se vendimet për reduktimin e trupave ndoshta janë marrë tashmë, në mënyrë që Trump të sigurojë një pikë konkrete politike para zgjedhjeve të ardhshme për Kongresin amerikan.

Pritet që ky vlerësim ta zvogëlojë edhe më tej praninë ushtarake amerikane në kontinentin evropian.

SHBA-ja tashmë ka paralajmëruar tërheqjen e 5 mijë ushtarëve nga Gjermania dhe rishpërndarjen e forcave pa zëvendësim të planifikuar.

Megjithatë, Trump ka premtuar dërgimin e trupave shtesë në Poloni, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë si arsye zgjedhjen e fundit të nacionalistit Karol Nawrocki si president të këtij vendi.

Washingtoni po redukton gjithashtu ndjeshëm pajisjet kryesore ushtarake të destinuara për mbrojtjen e mundshme të aleatëve, përfshirë tërheqjen e dronëve, anijeve luftarake dhe bombarduesve strategjikë, të cilët vetë Evropa nuk i posedon.

Pentagoni, deri tani, nuk u është përgjigjur kërkesave të gazetarëve për koment lidhur me takimin e ardhshëm në Bruksel.

Kategoritë
BotaLajme