Deputetja muslimane, Zarah Sultana: Islamofobia është shumë e vërtetë në Britani

Deputetja laburiste, Zarah Sultana përshkroi nivelin e islamofobisë në Britani të Madhe dhe abuzimet raciste që ajo ka përjetuar si politikane.

Deputetja muslimane në Britani të Madhe, Zarah Sultana shpërtheu në lotë gjatë një fjalimi që mbajti të enjten ku foli për abuzimet që ka përjetuar që kur u bë politikane gjatë një debati parlamentar mbi përkufizimin e islamofobisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sultana, anëtare e Partisë Laburiste në parlament nga Coventry South tha se ajo kishte marrë mesazhe të ndryshme abuzive.

Duke folur me lotë, ajo tha: “Një person, për shembull, më shkroi, dhe unë citoj: ‘Sultana, t’i dhe turma jote muslimane jeni një rrezik real për njerëzimin’, një tjetër shkroi se unë jam një ‘kancer kudo që shkoj’ dhe së fundmi, ata thanë, ‘Evropa do t’ju vjellë’, kurse i treti më quajti ‘simpatizant të terroristëve dhe llum i tokës’, dhe kjo është e pastruar nga gjuha e tyre joparlamentare”.

“Para se të zgjidhesha, isha nervoze se isha një grua muslimane në sytë e publikut”, tha Sultana në Westminster Hall.

“Duke u rritur, kam parë abuzime ndaj të cilëve u nënshtroheshin muslimanët e shquar britanikë. E dija që ky nuk do të jetë një udhëtim i lehtë për mua”, shtoi ajo.

“Dhe kur vajzat e reja më pyesin se si është, do të doja të thoja që kisha gabuar që shqetësohesha, se do të përballeshin me të njëjtat sfida si miqtë dhe kolegët e tyre jomuslimanë. Por, në kohën time të shkurtër në Parlament, kjo nuk është eksperienca ime.

“Kam zbuluar se të jesh një grua muslimane, të jesh e hapur dhe e majtë, do të thotë t’i nënshtrohesh kësaj breshërie racizmi dhe urrejtjeje”, tha ajo.

“Nga disa trajtohem sikur të isha armik i vendit në të cilin kam lindur, sikur të mos i përkas”, tha ajo.

Sultana tha se abuzimet që ka përjetuar u përkeqësuan kur kritikoi ish-kryeministrin Tony Blair për nisjen e “luftës të paligjshme” në Afganistan.

Ajo nënvizoi se “kjo islamofobi nuk vjen nga një vakum. Nuk është e natyrshme ose e rrënjosur. Kjo vërehet nga lart”.

Sultana gjatë fjalimit të saj emocional tha se “Kur një llogari e ekstremit të djathtë në internet më vuri në shënjestër me abuzim racist, duke sugjeruar se muslimanët ishin ushtri pushtuese, një deputet konservator reagoi, duke mos i kritikuar ata për racizmin e tyre, por duke më ofenduar mua”.

– Lufta kundër terrorit i vë muslimanët në shënjestër

Sultana tha se këtë të shtunë do të shënohet 20-vjetori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA dhe se “ky akt i tmerrshëm i vrasjes masive hodhi një hije të gjatë”.

Ajo tha se kur ish-presidenti amerikan George Bush dhe Tony Blair filluan luftën kundër terrorizmit, ajo “hodhi një narracion të cilën shumë e përqafuan me gatishmëri: Muslimanët, kudo që ishin, u portretizuan si një kërcënim sigurie, të cilët kanë nevojë për disiplinë dhe shtypje”.

Sultana nënvizoi se “ky ishte sfondi i luftërave katastrofike në Lindjen e Mesme, ku u treguan lidhje të rreme midis Irakut dhe sulmeve të 11 shtatorit, duke ofruar legjitimitet të rremë për një luftë që kishte të bënte më shumë me naftën sesa sigurinë e qytetarëve britanikë”.

Ajo tha se shpresonte se gjërat do të shkonin drejt përmirësimit në të ardhmen ndërsa ajo mbante kokën ulur, por gjërat u përkeqësuan.

Duke iu referuar një artikulli të shkruar nga kryeministri britanik, Boris Johnson, Sultana tha: “Sot, kryeministri ynë tallet me muslimanët si ‘kuti postare’ dhe ‘grabitës bankash'”.

– Islamofobia është shumë e vërtetë në Britani

“Islamofobia është shumë e vërtetë në Britani sot”, vazhdoi deputetja muslimane.

“Kjo është diçka që unë e di shumë mirë. Por, nuk mund të mposhtet në mënyrë të izoluar”, theksoi Sultana.

Ajo potencoi se “Njerëzit që përhapin këtë urrejtje nuk synojnë vetëm muslimanët. Ata synojnë njerëzit me ngjyrë, hebrenjtë, synojnë komunitetin rom dhe udhëtarët. Ata synojnë emigrantët dhe refugjatët”.

“Në solidaritet ka siguri dhe vetëm të bashkuar në përpjekjet tona ne do të mposhtim racizmin”, shtoi ajo.

Kategoritë
BotaLajme