Daka: Për rinumërimin total të votave nevojitet arsyetim ligjor

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, thotë se dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë e kanë dëmtuar procesin zgjedhor, por ajo nuk beson se ka arsye për rinumërim total të votave.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në KQZ, Ibrahim Selmanaj, në mbledhjen e së mërkurës të këtij institucioni që është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, kërkoi rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Daka thotë se duhet pritur rezultatin e hetimeve të prokurorisë, por ajo është e bindur se manipulimi nuk ka karakter të përgjithshëm.

“Fatkeqësisht kjo (me komisionerët) po na përsëritet”, tha Daka.

Sipas saj, komisionerët e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) duhet t’i nënshtrohen një kontrolli më rigoroz të së kaluarës së tyre dhe KQZ-ja nuk ka ndonjë mekanizëm tjetër për të mbrojtur integritetin e votës.

Fakti që Kosova në vazhdimësi po mban zgjedhje të parakohshme parlamentare, sipas Dakës, po ndikon që edhe vetë KQZ-ja të mos jetë në gjendje që të mësojë nga gabimet apo të metat e proceseve paraprake.

Radio Evropa e Lirë: Sa e ka dëmtuar procesin zgjedhor kjo çka ndodhi tash me dyshimet për manipulim të votave?

Valdete Daka: Natyrisht që e ka dëmtuar, por gjithsesi unë përsëri mbes pas deklaratës të cilën e kam dhënë, e ajo është se këto zgjedhje janë zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë.

Tash ne flasim për organizim të zgjedhjeve, ne asnjëherë nuk mund ta dimë se personat, të cilët angazhohen, janë të tillë. Ata nuk janë staf i yni. Ata janë staf, i cili vjen nga subjektet politike dhe ne nuk e dimë se a do ta bëjnë ndonjë gjë, e cila do ta dëmtojë imazhin.

Por, gjithsesi, këto mbesin zgjedhjet më së miri të organizuara, pavarësisht asaj që ka ndodhur ditët e fundit.

Bëhet fjalë për një video që qarkullon. Prokuroria tashmë është duke u marrë me atë çështje dhe shpresojmë që shumë shpejt do të dalin edhe ata me një gjetje finale se çka ka ndodhur në të vërtetë.

Radio Evropa e Lirë: Në vitin 2019, keni thënë se faji është te komisionerët, të cilët bëjnë këtë lloj skeme mashtrimi. A ka mekanizma brenda KQZ-së, përmes të cilëve keni mundur ta parandaloni një gjë të tillë?

Valdete Daka: Ne zakonisht nuk i angazhojmë ata që janë nën hetime. Ne këtë vit kemi kërkuar edhe nga Këshilli Gjyqësor dhe kemi marrë dhe kemi verifikuar edhe komisionerët, pra diku rreth 23 mijë komisionerë, të cilët janë angazhuar dhe kemi kërkuar nga ta që të verifikohen se a kanë kryer ndonjë vepër penale, e sidomos a janë duke u hetuar për çështje të zgjedhjeve.

“Fatkeqësisht, kjo po na përsëritet”

Vetëm pasi e kemi marrë konfirmimin e tyre, ne kemi angazhuar këtë staf. Tash, unë nuk mund të them që edhe ky staf apo një numër i caktuar i tyre kanë bërë ndonjë keqpërdorim, por gjithmonë flasim për ndryshim të rezultateve sa u përket kandidatëve, sepse, sa u takon partive politike, nuk kemi pasur asnjë ankesë dhe zakonisht komisionerët janë shumë të kujdesshëm kur i plotësojnë formularët për subjektet politike.

Fatkeqësisht, kjo po na përsëritet. Sa u përket komisionerëve, ata punojnë me direktiva, merren vesh njëri me tjetrin, pra e nënshkruajnë procesverbalin, sepse mos harroni, ata të gjithë e nënshkruajnë procesverbalin që ato shënime të cilat janë aty, janë të sakta.

Dhe kjo neve na sjell pastaj vështirësi, sepse të gjithë formularët matematikisht përputhen. Ato nuk japin ndonjë sinjal se diçka nuk është në rregull. Praktikisht, ne nuk mund të detektojmë se diçka ka ndodhur, diçka e keqe me rezultate, përderisa ato matematikisht përputhen dhe përderisa formularët janë të nënshkruar nga të gjithë anëtarët e KVV-së.

Radio Evropa e Lirë: Pra, po thoni se është e pamundur për KQZ-në që të parandalojë që kjo të ndodhë, por pasi që të ndodhë, atëherë duhet të merren organet e hetuesisë…

Valdete Daka: Po. Por, tash mos harroni që ne i kemi akredituar 33 mijë vëzhgues të subjekteve politike. Pra, ndoshta nuk është mirë ta themi, por i bie që edhe vëzhguesit, të cilët kanë qenë prezentë gjatë numërimit të votave, në njëfarë mënyre heshtazi kanë aprovuar atë që kanë parë aty, sepse i bie që përkundër faktit që vëzhguesit kanë qenë prezentë në ato vendvotime, nuk kanë dhënë ndonjë sinjal, nuk kanë alarmuar se diçka po ndodh dhe se komisionerët nuk janë duke i plotësuar formularët, ashtu siç janë rezultatet.

Rinumërimi total kërkon arsye të fortë ligjore

Radio Evropa e Lirë: Nëse ndodh që pas rinumërimit që është kërkuar nga PZAP-ja, të ketë ndryshim të madh, a duhet të merret parasysh kërkesa e AAK-së për rinumërim total të votave?

Valdete Daka: Një ndryshim tashmë dihet, është publik, që një kandidate për deputete e ka humbur atë mandat, mirëpo ndryshime të tjera nuk ka. Pra, ka qenë një grup i organizuar që ka rregulluar rezultatin për një person të caktuar dhe atë vetëm në një numër jashtëzakonisht të vogël të vendvotimeve.

Ndërkaq, sa u përket rezultateve të kandidatëve të tjerë, nuk ka ndryshime të dukshme dhe nuk do të ketë ndryshime në renditje të kandidatëve. Unë s’mund të flas, sepse në fund e kam vetëm një votë në KQZ. Gjithsesi, KQZ-ja do ta shqyrtojë edhe kërkesën e AAK-së që të bëhet rinumërimi i të gjitha votave, por duhet dhënë një arsyetim ligjor se pse kërkohet ky rinumërim i të gjitha votave.

Radio Evropa e Lirë: A ndodh skema e mashtrimit vetëm në QNR?

Valdete Daka: Jo. Sa u përket votave që numërohen në qendrat e vendvotimit, ne i kemi audituar dhe ato janë përmirësuar. Po ashtu, me vendim të PZAP-së, ne i kemi rinumëruar edhe 134 kuti dhe edhe ato rezultate do të përmirësohen. Edhe pse e thashë që nuk ka ndonjë dallim të madh, mund të ketë edhe gabime njerëzore, por nuk ka ndryshim në renditje të kandidatëve.

Ajo çka ka ndodhur në QNR, është një skemë që është duke u hetuar dhe unë nuk mund të jap një konkluzion timin tash se çka ka ndodhur, si ka ndodhur, si ka qenë organizimi, nëse ka pas organizim, por është vetëm për një person dhe votat e personave të tjerë nuk janë prekur.

Shtimi i vigjilencës në QNR

Radio Evropa e Lirë: Për ata që nuk e njohin procesin në QNR, punëtorët, komisionerët, a janë punëtorë të KQZ-a apo jo?

Valdete Daka: Janë staf jopermanent, të cilët angazhohen ‘ad hoc’, pra angazhohen për një palë zgjedhje.

Radio Evropa e Lirë: Pra, a mund të ketë diçka shtesë, ndonjë kontroll apo mekanizëm që e parandalon këtë?

Valdete Daka: Kjo po ndodh për herë të parë, ndoshta në të ardhmen do ta shtojmë vigjilencën dhe ndoshta do të kërkojmë që edhe këta t’i nënshtrohen verifikimit nga Këshilli Gjyqësor dhe ta dimë se a janë nën hetime apo jo. Me sa e di, është kërkuar edhe për ta një vërtetim se nuk janë nën hetime, për qindra njerëz që angazhohen në baza ditore për numërim.

Integriteti i votës

Radio Evropa e Lirë: Meqenëse kemi një rast që ka ndryshuar renditja e kandidatëve për deputetë si rezultat i rinumërimit, sa është i sigurt integriteti i votës? Sa është e sigurt vota, veçmas edhe për kandidatët?

Valdete Daka: Deri më tash janë rinumëruar 86 mijë vota, duke përfshirë votat me kusht dhe ato me postë; janë rinumëruar gati 700 kuti dhe nuk ka ndonjë ndryshim të dallueshëm. Dallimi mes kandidatëve ka qenë shumë i vogël, prandaj edhe ka ardhur te ndryshimi i rezultatit dhe renditjes së kandidatëve.

Te kandidatët e tjerë nuk ka ndonjë ndryshim, i cili mund të ngre dyshime se ka ndonjë organizim, i cili është bërë qoftë në QNR, qoftë në vendvotime.

Radio Evropa e Lirë: Sa po ndikon fakti që KQZ-ja po organizon në vazhdimësi zgjedhje të jashtëzakonshme, në cilësinë e këtyre zgjedhjeve?

Valdete Daka: Është rutinë e dhimbshme dhe e lodhshme njëkohësisht. KQZ-ja, praktikisht, nuk po arrin as të analizojë procesin e kaluar dhe t’i marrë mësimet nga proceset e kaluara dhe ashtu në nguti, me afate të përshpejtuara dhe duke anashkaluar të gjitha, futet në një proces të ri, duke mos arritur që t’i riparojë të gjitha ato vërejtje.

Do të kisha shumë dëshirë që në Kosovë, të paktën një herë të kemi zgjedhje të rregullta parlamentare, pasi këto zgjedhje janë shumë më të vështira, pasi nga to edhe rrjedhin institucionet e nivelit qendror, praktikisht pushteti. Dhe tërë kohën jemi nën presion medial, politik, publik dhe presion brendapërbrenda KQZ-së.

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet KryesoreVendi