Që nga vitet e 80-ta dhe 90-ta ai është angazhuar në terren si vëzhgues i botës së kafshëve dhe shpezëve por edhe ka parë dokumentare të ndryshme për botën e egër, para dhe pas luftës në Kosovë.
Në një livadh malor me mbi 1 mijë metra lartësi mbidetare në Kamenicë, në lindje të Kosovës, Arian Mavriqit i mjafton një lëvizje e vogël mes degëve të larta për të kuptuar se fare pranë ndodhet pupëza, një nga shpendët më të rrallë që viziton Kosovën.
Aty ku shumica e njerëzve në fakt shohin vetëm pyll, ai lexon gjurmë, dëgjon zëra dhe njeh jetën e egër si pak kush, kjo falë pasionit që ky e ka kultivuar që në fëmijëri, kur ndjente kuriozitet të pashuar për krijesat në rrethin e Kamenicës dhe pyeste gjithmonë në vete për misionin e tyre në tokë.
Që nga vitet e 80-ta dhe 90-ta ai është angazhuar në terren si vëzhgues i botës së kafshëve dhe shpezëve por edhe ka parë dokumentare të ndryshme për botën e egër, para dhe pas luftës në Kosovë.
Këtë pasion ai nga viti 2012 e ka kthyer në profesion dhe me aparatin e tij në dorë ka realizuar mijëra fotografi dhe video derisa vitet e fundit ka bërë edhe dhjetëra dokumentarë të cilët janë emetuar në media të ndryshme, duke dokumentuar kafshë, shpezë e dukuri të rralla në natyrë.

“Sot, nga viti 2012, ky pasion le të themi m’u shndërrua në profesion. Jetoj sot nga kjo punë. Jam çdo ditë në terrene, më shumë se pesë orë gjithandej kudo që mundem në Kosovë. Kam qenë edhe në Afrikë, Rumani, Hungari, Greqi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e kështu me radhë. Në Ballkan po se po. Kam realizuar dokumentare të ndryshme që flasin për jetën e egër, në përgjithësi për kafshët, për speciet që kanë rëndësi shumë të madhe për ekosistemin”, thekson Mavriqi në një intervistë për Anadolu.
Ai shpjegon se ka ditë kur edhe pse del me orë të tëra në terren për të pritur “diçka të madhe”, kthehet në shtëpi i dëshpëruar për shkak se kafshët ose shpezët mund të lëvizin vazhdimisht.
Fotografi njofton se tani është koha kur shpezët shtegtarë janë kthyer në Kosovë dhe tani rri në gatishmëri për t’i zënë me objektivin e tij.
– Para se të jetë profesion është kënaqësi
Për 46-vjeçarin nga Kamenica tashmë është e paimagjinueshme jeta pa malet ku ai thotë se frymon dhe gjenë inspirimin për të vazhduar.
Megjithatë malet ndonjëherë mund të sjellin edhe rreziqe të panjohura për njeriun dhe fotografi i botës së egër thotë se gjatë fotografimit të një dhie të egër në bjeshkët e Deçanit, të cilën e veçon si më të bukurën që ka bërë ndonjëherë, ka hasur në një ari me këlyshë, por, fatmirësisht gjithçka ka kaluar pa pasoja.
“Ajo ka qenë – dhia e egër, sepse në prapavi është Gjeravica (maja më e lartë në Kosovë), si moment ekskluziv… (vëren zërin e një shqiponje). Ky është një lloj i shqiponjës ‘buteo buteo’ që e ka hetuar praninë tonë këtu dhe si duket ka një fole këtu afër dhe po i paralajmëron zogjtë të mos lëvizin se ka një rrezik potencial. Ajo ka qenë fotografia më e mirë ndërsa sa i përket videos është ajo e kastorit euro-aziatik një gjitar gjysmëujor që ushqehet me bimë të ujit e që ne e kemi dokumentuar pas 200 viteve. Pra, 200 vite nuk ka qenë askund e pranishme në Ballkan dhe vitin që shkoi e dokumentuam”, tha ai.

Por, Mavriqi thotë se edhe kur ka hasur ta sheh për të vetmën herë në jetë Rrëqebullin Ballkanik si specia më e rrezikuar për zhdukje, ka qenë një kënaqësi që nuk harrohet kurrë.
“E pamë duke ardhur këndej edhe pupëzën, si zogu që e quajmë ne zogu i Profetit Sulejman që kthehet nga shtegtimi afrikan dhe përmendet në librin e shenjtë, në Kuranin Famëlartë. Dhe ky ka qenë nga momentet që nuk harrohen, kur e kam gjetur për herë të parë folenë e pupëzës”, thotë ai.
– Jo vetëm fotograf, por edhe rojtar i natyrës
Fotografi nga Kamenica me dhjetëra herë është paraqitur në rrjete sociale duke alarmuar për ndotjen e hapësirave malore nga qytetarë të pandërgjegjshëm dhe shpesh ai me vetiniciativë i ka mbledhur mbeturinat dhe i ka çuar në vende adekuate.
Por, përpos mbeturinave ai disa herë ka lajmëruar edhe zjarrfikësit, kur ka parë që në ndonjë nga vendet ku ai po hulumtonte për botën e egër, ka parë zjarr në livadhe.

Mavriqi kujton se shumë shpesh ka ligjëruar pa pagesë në shkolla apo edhe në universitete në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut për kafshët e shpezët dhe ruajtjen e biodiversitetit. Tani, Mavriqi thotë se ka një lidhje të fortë me shqiptarët kudo ku janë dhe mesatarisht merr rreth 50 mesazhe në ditë nga qytetarë të cilët e njoftojnë për dukuri të ndryshme në natyrë apo kur hasin në ndonjë kafshë të rrallë.
“Një punë tepër të rëndësishme për neve dokumentuesit e jetës së egër e kryejnë edhe kamerat kurth, sepse nuk mund të qëndrojmë me javë apo muaj në një vend. Ka ndodhur e kemi lënë një kamerë deri në gjashtë muaj, për të monitoruar gjendjen e kafshëve të egra, numrin e tyre, llojin, nëse janë në shtim e sipër apo jo. Kryesisht i lëmë afër pusetave të ujit sepse ato nuk kanë mundësi pa ardhë për të shuar etjen. Pra këto na ndihmojnë për dokumentimin e jetës së egër, shumë shpesh kemi dokumentuar kafshë të ndryshme nga to. Për shembull Rrëqebullin përmes kamerave kurth e kemi dokumentuar sepse përndryshe ta shohësh me sy të lirë është shumë problem”, thotë Mavriqi.
Ai beson se fotografia mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzit e shohin natyrën. Kur një imazh arrin të bëjë qoftë edhe një person të heqë dorë nga dëmtimi i një kafshe apo shkatërrimi i një habitati, atëherë, sipas tij, orët e gjata të pritjes në male kanë marrë kuptim.










