“Ne, për sa kohë të jemi gjallë, do të dëshmojmë. Kur ne të mos jemi më, nipërit e mbesat tona do të dëshmojnë”, tha Munira Subashiq.
Në kuadër të përkujtimit të 31-vjetorit të gjenocidit të korrikut 1995 ndaj boshnjakëve në “zonën e sigurt” të OKB-së në Srebrenicë, të mbijetuarit e gjenocidit po vizitojnë sërish, këtë 13 korrik, vendet e ekzekutimeve masive ku u vranë më të dashurit e tyre, raporton Anadolu.
Të mbijetuarit e gjenocidit, përfaqësuesit e familjeve të viktimave dhe shoqatat që bashkojnë të mbijetuarit dhe familjet e tyre u nisën nga Xhamia e Çarshisë në Srebrenicë drejt ndërtesës së Gjykatës Themelore, ku vendosën lule dhe recituan Fatihanë për viktimat e gjenocidit, duke shprehur kështu respektin e tyre. Më pas ata vizituan ndërtesën e vjetër të stacionit të policisë në Srebrenicë përpara se të niseshin drejt Potoçarit (ndërtesës së transmetimit të energjisë elektrike) dhe Budakut.
“Në ‘Shtëpinë e Bardhë’, këtu në Potoçar, burrat dhe djemtë u ndanë dhe kjo mund të shihet në video. Aty ata u torturuan dhe më pas u vranë. Ka dëshmitarë që kanë dëshmuar në Hagë”, tha Munira Subashiq, kryetare e Shoqatës “Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës”.
Pas “Shtëpisë së Bardhë”, ata vizituan fshatin Budak dhe vendin ku u zbulua një varrezë masive, nga e cila u identifikuan 45 persona.
“Pjesë të trupit të djalit tim Seadit u gjetën në këtë varr”, tha Bajro Haliloviq.
Më pas, ata vizituan edhe Kravicën, pra ish-kooperativën bujqësore, ku sipas dëshmive të të mbijetuarve në Tribunalin e Hagës u vranë më shumë se 1.300 burra dhe djem.
“Ne, për sa kohë jemi gjallë, do të dëshmojmë. Kur ne të mos jemi më, do të dëshmojnë nipërit e mbesat tona. Djali im u vra në këto ndërtesa të kooperativës; prej tij gjeta vetëm dy kocka. Këtu njerëzit u vranë me të shtëna e bomba, si dhe nga etja e uria”, tha Subashiq.
Përveç lokacioneve të lartpërmendura, të mbijetuarit e gjenocidit dhe përfaqësuesit e shoqatave vizituan stadiumin në vendbanimin Kasaba e Re (Nova Kasaba), ku u kryen kapje dhe ekzekutime gjatë gjenocidit të Srebrenicës në verën e vitit 1995.
Pas Kasabës, janë planifikuar vizita në vendet e ekzekutimit në Orahovac, Branjevë dhe Petkovci.
Më 17 korrik, të mbijetuarit e gjenocidit dhe përfaqësuesit e shoqatave do të vizitojnë Tërnovon, vendin ku boshnjakët e kapur u ekzekutuan nga anëtarët e njësisë “Skorpionët”.
Të shtunën, më 11 korrik, u mbajt ceremonia e varrimit dhe u krye varrimi në varrezat e Qendrës Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari për dhjetë viktima të gjenocidit të kryer në verën e vitit 1995. Mosha e viktimave të varrosura varionte nga 20 deri në 56 vjeç.
Deri më tani, 6.782 viktima të gjenocidit janë varrosur në varrezat e Qendrës Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari, ndërsa 250 viktima janë varrosur në varreza lokale me kërkesë të familjeve të tyre.
Instituti për Personat e Zhdukur i Bosnjë e Hercegovinës vazhdon kërkimet për 900 viktima të gjenocidit.
Pas rënies së Srebrenicës më 11 korrik 1995, pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë më shumë se 8.000 burra boshnjakë në një sërë ekzekutimesh masive.
Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë dha një vendim ku thuhej se në korrik të vitit 1995, Ushtria e Republikës Sërpska (VRS) kreu gjenocid në Srebrenicë, e cila në atë kohë ishte një “zonë e sigurt” e OKB-së.
Tribunali i Hagës, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës dhe organet gjyqësore në Serbi e Kroaci kanë dënuar deri më tani gjithsej 54 persona me 781 vjet burgim dhe pesë dënime me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte. Ndër të tjerë, me burgim të përjetshëm u dënuan presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska (RS) dhe komandanti i ushtrisë së atij entiteti, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiq.














