​Shtyhet votimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Për shkak të rrethanave të krijuara në vend, është shtyrë për një ditë tjetër mbledhja e Komisionit për Legjislacion, ku në rend dite ishte votimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Kryetari i këtij Komisioni, Shkëmb Manaj tha se për arsye të rrethanave të krijuara në vend, mbledhja do të mbahet një ditë tjetër.

Ai i tha për KosovaPress se edhe Projektligji do të mbetet me gjasë për javën tjetër për votim në seancë plenare.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në fillim të javës, ka bërë të ditur se kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për ditën e premte për të kaluar në lexim të dytë këtë Projektligj.

“Në emër të deputeteve nënshkrues, dorëzova kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, për të kaluar në lexim të dytë, Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Seanca do të mbahet ditën e premte në ora 11:00”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme në seancë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi