Rusia mohon pretendimet se “ushtria ruse ka hapur varr masiv” në qytetin Izyum

“Ky është skenar i njëjtë me atë në Bucha. Çdo gjë zhvillohet sipas një skenari dhe kjo është një gënjeshtër”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se është “gënjeshtër” pretendimi që “ushtria ruse ka varrosur ushtarët ukrainas në varre masive” në qytetin Izyum të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Peskov ka bërë deklarata për gazetarët lidhur me çështjet në rendin e ditës, ku ai ka reaguar ndaj akuzave të bëra ndaj Rusisë për varrosjen e ushtarëve ukrainas në varret masive në qytetin Izyum në rajonin Kharkiv të Ukrainës, që u rimor nga forcat ruse.

“Ky është skenar i njëjtë me atë në Bucha. Çdo gjë zhvillohet sipas një skenari dhe kjo është një gënjeshtër”, theksoi Peskov.

Peskov ka dhënë përgjigje edhe ndaj deklaratave të zyrtarëve ukrainas se Krimeja e aneksuar nga Rusia mund të bombardohet me raketa me rreze të gjatë që do merren nga Perëndimi.

“Çdo pretendim kundrejt territoreve ruse do të marrë një përgjigje të përshtatshme”, deklaroi Peskov.

Pasi rikujtoi se Rusia ka njohur pavarësinë e të ashtuquajturave administratave në Donbas, Peskov vuri në dukje se këto administrata kanë kërkuar ndihmë nga Rusia për të garantuar sigurinë, duke shtuar se Moska këtë ka bërë.

Më tej Peskov, duke iu referuar Gjermanisë, theksoi se Moska pavarësisht çdo gjëje vazhdon komunikimin e saj me disa vende jo mike.

Kategoritë
BotaLajme