Prizreni Mirëpriti Ndeshjen Miqësore mes Deputetëve të Kosovës dhe Turqisë

Në kuadër të turneut të veteranëve të futbollit “Kupa e Paqes në Botë”, në Prizren u zhvillua një ndeshje e veçantë miqësore, e cila përcolli mesazhe miqësie dhe vëllazërie ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Aktiviteti, i organizuar nga Kalaja Masters, mblodhi një ekip të përbërë nga ish-deputetë dhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilët u përballën në një ndeshje miqësore me ekipin e deputetëve të Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë.

Ndeshja u zhvillua në frymën e miqësisë, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke dëshmuar edhe një herë se sporti mbetet një urë e rëndësishme që afron njerëzit dhe forcon lidhjet mes popujve.

Gjatë aktivitetit u theksuan mesazhet e miqësisë dhe vëllazërisë, ndërsa pjesëmarrësit vlerësuan rolin e sportit në forcimin e diplomacisë dhe marrëdhënieve kulturore.

Ndeshja miqësore e zhvilluar në Prizren në kuadër të “Kupës së Paqes në Botë” u përmbyll në frymën e fair-play-it dhe me një atmosferë të ngrohtë e miqësore, duke konfirmuar edhe një herë lidhjet e forta ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Kategoritë
LajmeVendi