“Si pasojë e kësaj bllokade në fund të këtij muaji, në qershor, tashmë mund të rrezikohen nëntë hapa në shumë prej afër 60 milionë euro nga Plani i Rritjes”, tha koordinatori Zulfaj.
Bllokadat në Kuvendin e Kosovës po rrezikojnë zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian (BE) dhe mund të vënë në pikëpyetje afër 60 milionë euro fonde deri në fund të muajit qershor, raporton Anadolu.
Kjo u theksua në takimin e parë të Komitetit Monitorues BE-Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, ku zyrtarë vendor dhe të BE-së diskutuan progresin dhe sfidat në zbatimin e agjendës reformuese.
Koordinatori i Kosovës për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj tha se Kosova ishte ndër vendet e para të Ballkanit Perëndimor që përfundoi negociatat me BE-në për agjendën reformuese gjatë vitit 2024, por, procesi më pas u ngadalësua nga vonesat në Kuvend.
“Vonesat nga viti i kaluar në Kuvend, kanë vonuar ratifikimin e marrëveshjeve dhe zbatimin e reformave. Fatkeqësisht bllokada në Kuvend vazhdoi këtë vit duke vonuar tutje reformat e nevojshme që kryesisht janë ligje që duhet kaluar në Kuvend. Si pasojë e kësaj bllokade në fund të këtij muaji, në qershor, tashmë mund të rrezikohen nëntë hapa në shumë prej afër 60 milionë euro nga Plani i Rritjes”, theksoi ai.
Zulfaj rikujtoi se ratifikimi i marrëveshjeve u bë më 13 shkurt të këtij viti, ndërsa fondet e para të parafinancimit në vlerë prej 61.8 milionë eurosh u pranuan në muajin prill.
Udhëheqësi i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, Jiri Plecity tha se Kosova ka qenë ndër përfitueset e para në Ballkanin Perëndimor që ka përgatitur një agjendë reformuese të vlerësuar pozitivisht nga Brukseli.
Ai tha se dy vjet më parë agjenda reformuese e Kosovës vendosi një kornizë të shëndoshë, gjithëpërfshirëse dhe konsistente për të avancuar në këtë rrugë evropiane përmes reformave.
“Kosova ishte në fakt ndër vendet e para përfituese në Ballkanin Perëndimor që përgatiti një agjendë reformuese e cila u prit shumë mirë. Prandaj, tani është vërtet koha që Kosova të dyfishojë përpjekjet për zbatimin e këtyre reformave dhe jam shumë i kënaqur që kam dëgjuar për të gjitha përpjekjet që tashmë keni ndërmarrë për ta dinamizuar, për ta bërë sistemin më të përgjegjshëm dhe më të përgatitur për zbatimin e këtyre reformave”, tha ai.
Plecity theksoi se përparimi në reformën në drejtësi, forcimi i të drejtave themelore dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar mbeten prioritete kyçe. Ai veçoi edhe rëndësinë e reformave në sektorin e energjisë me theks në miratimin e ligjeve të reja për energjinë dhe energjinë elektrike së bashku me ligjin për rregullatorin e energjisë.
Sipas tij, Kosova mund të përfitojë deri në 880 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, por kjo varet nga përmbushja e reformave të dakorduara.
Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në vitin 2024, synon të përshpejtojë integrimin ekonomik të rajonit me tregun e Bashkimit Evropian dhe mbështetet në zbatimin e reformave në fusha kyçe si sundimi i ligjit, energjia, digjitalizimi dhe zhvillimi ekonomik.













