Polici që vrau Floydin, shpallet fajtor

Derek Chauvin, ish-polic i qytetit Mineapolis të SHBA-së, u shpall fajtor për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd, në maj të vitit të kaluar.

Juria e gjykatës në Mineapolis, e përbërë prej 12 anëtarësh, e shpalli fajtor në të tria akuzat që e ngarkonin: vrasje e shkallës së dytë, vrasje e shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim.

Vendimi u mor të martën, më shumë se tri javë pas nisjes së gjykimit.

Dënimi maksimal që mund të marrë Chauvin, është 40 vjet burgim.

Chauvin, 45 vjeç, është filmuar duke shtypur Floydin me gju në qafë, për më shumë se nëntë minuta.

Floyd më pas ka vdekur, ndërsa rasti i tij ka shkaktuar protesta kundër racizmit në të gjithë SHBA-në.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha më herët se lutet për “vendim të drejtë” në gjykimin e Chauvinit.

Kategoritë
BotaLajme