Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mbajti një fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij, ku dërgoi mesazhe tejet të ashpra lidhur me zhvillimet e fundit politike në Lindjen e Mesme, duke e krahasuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me Adolf Hitlerin.
Lideri turk theksoi se sulmet izraelite ndaj Sirisë dhe Libanit nuk përbëjnë më kërcënim vetëm për këto dy “vende vëllazërore”, por kanë arritur në një pikë ku paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë edhe për vetë Turqinë.
“Siguria e Turqisë nuk fillon vetëm në Hatay, por edhe në Halep, Damask dhe Bejrut. Ne nuk do të tolerojmë asnjë fakt të kryer në vendet tona vëllazërore dhe nuk do të mbyllim sytë përballë agresionit ndaj tyre”, deklaroi Erdogan.
Duke folur për situatën më të gjerë në rajon, Erdogan tha se Ankaraja është plotësisht e vetëdijshme për qëllimin përfundimtar që, sipas tij, fshihet pas idesë së krijimit të “Izraelit të Madh”.
“Me ndihmën e Zotit, këtë nuk do ta lejojmë kurrë. Dua të jem shumë i qartë: askush nuk duhet të kërkojë aventura dhe askush nuk duhet të lidhet pas vagonit të rrjetit sionist të masakrave. Nëse dikush përpiqet të cenojë të drejtat dhe interesat e Turqisë dhe të turqve qipriotë në Mesdheun Lindor, përgjigjja jonë do të jetë shumë e qartë dhe shumë e vendosur”, tha presidenti turk.
Ai shtoi se Izraeli po bën gjithashtu përpjekje për të destabilizuar vendet afrikane dhe rajonin e Mesdheut, duke e quajtur administratën sioniste “vatër rebelimi dhe fabrikë përçarjeje” që prodhon vazhdimisht tensione në mbarë botën.
Në pjesën më të fortë të fjalimit të tij, Erdogan krahasoi heshtjen e sotme të bashkësisë ndërkombëtare me qëndrimin ndaj Gjermanisë naziste para Luftës së Dytë Botërore.
“Para 85 vitesh, heshtja dhe mosveprimi përballë Hitlerit çuan në vdekjen e 80 milionë njerëzve në mbarë botën. E gjithë njerëzimi pagoi çmimin e çmendurisë së një tirani të çrregulluar. Sot po përsëritet i njëjti gabim. Veprimet gjenocidale të ‘kasapit të Gazës’, Netanyahut dhe kabinetit të tij, po shikohen me të njëjtën heshtje dhe mungesë reagimi me të cilën dikur u prit Hitleri”, tha ai.
Erdogan paralajmëroi liderët botërorë se zjarri nuk mbetet kurrë vetëm aty ku nis.
“Askush nuk duhet të harrojë se kur një zjarr përhapet, ai nuk djeg vetëm rajonin ku ka shpërthyer; shkëndijat e tij përhapen në mbarë botën. Ashtu si sot e gjithë bota po paguan çmimin e situatës së pazgjidhur në Ngushticën e Hormuzit, nëse paligjshmërisë së Izraelit nuk i vihet fre, i gjithë njerëzimi do të përballet me pasojat. Izraeli duhet të ndalet. Kjo është detyrë e njerëzimit dhe fronti i njerëzimit”, përfundoi Erdogan, duke shtuar se Turqia, pavarësisht të gjitha sabotimeve izraelite, do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të vendosur paqen në rajon.









