Kryetari i New Yorkut me mesazh para Kupës së Botës: “Futbolli nuk do të ekzistonte pa emigrantët”

Deklaratat e Zohran Mamdanit vijnë pasi arbitrit somalez Omar Abdulkadir Artan iu refuzua hyrja në SHBA

Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani deklaroi se futbolli “nuk do të ekzistonte pa emigrantët”, në prag të Kupës së Botës FIFA 2026, e cila pritet të nisë të enjten, transmeton Anadolu.

“Futbolli nuk do të ekzistonte pa emigrantët. Emigrantët luajnë dhe trajnojnë këtë sport, punojnë në stadiume, mbushin tribunat dhe bëjnë të mundura festime si Kupa e Botës”, shkroi Mamdani në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Mamdani theksoi se gjashtë nga lojtarët e përfaqësueses së meshkujve të SHBA-së janë emigrantë.

Deklaratat e tij erdhën pasi FIFA konfirmoi të hënën se arbitrit somalez Omar Abdulkadir Artan iu refuzua hyrja në SHBA gjatë fundjavës dhe se ai nuk do të mund të marrë më pjesë në turne.

Bloomberg raportoi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka përgatitur një plan për të shtuar personelin e Shërbimit Amerikan për Imigracionin dhe Doganat (ICE) në New York, në kuadër të masave të presidentit kundër emigracionit.

“Nuk do të lejojmë që ICE apo kushdo tjetër të mbjellë frikë në komunitetet tona, veçanërisht në këtë moment”, shkroi Mamdani në X duke shtuar: “Ndërsa bota vjen në qytetin tonë, ne do të qëndrojmë krenarë pranë fqinjëve tanë emigrantë dhe do t’i refuzojmë këto sulme për atë që janë: një përpjekje për të na përçarë”.

Kategoritë
BotaLajme