Ekspozitë për 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet

Ekspozita përfshin fotografi historike që tregojnë zhvillimin e kryeqytetit të Shqipërisë në periudha të ndryshme, veshjet tradicionale dhe aspektet e zhvillimit urban.

Me rastin e 101-vjetorit të caktimit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë është hapur një ekspozitë me fotografi që tregojnë qytetin në periudha të ndryshme historike, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekspozita “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive” e cila do të qëndrojë e hapur deri më 13 shkurt është hapur në ambientet e Kalasë së Tiranës, ndërkohë në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve dhe studiues.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës tha se Tirana kryeqytet është një çështje e të gjithë shqiptarëve

“Sot këtu frymon shqiptaria. Këtu është epiqendra e të gjithë zhvillimeve politike, kulturore dhe sociale në të gjitha trojet shqiptare. Ne kremtojmë praktikisht 101-vjetroin e pikënisjes së këtij zhvillimi i cili ka shoqëruar gjithë zhvillimet pozitive, gjithë zhvillimin e shoqërisë tonë në një shoqëri bashkëkohorë”, u shpreh Bido.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i cili theksoi se ky përvjetor është një ditë shumë e veçantë për qytetin e Tiranës.

“Është një ditë e madhe do ta konsideroja. U bënë disa vite që ne kremtojmë së bashku me miqtë, me qytetarët e Tiranës dhe institucionet. Shikoj sesa e madhe qenka kjo pasuri si rezultat i fotove që dalin herë pas here, i fotove të veçanta, këtë thesar që familjet tiranase e kanë ruajtur dhe e nxjerrin herë pas here”, tha Seferi.

Ai u shpreh se dëshiron që materiale të tilla të botohen dhe të ishin pjesë e historisë së Tiranës sepse sipas tij “është një e kaluar aq e çmuar dhe aq e vlerë që duhet patjetër të kalojë në duart e brezit të ri”.

Ekspozita organizohet nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës dhe pjesë e saj janë fotografi historike që tregojnë zhvillimin e kryeqytetit të Shqipërisë në periudha të ndryshme, veshjet tradicionale dhe aspektet e zhvillimit urban.

Kujtojmë se organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën nga Kongresi i Lushnjës (janar 1920) u vendosën më 11 shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në janar 1925.

Kategoritë
Kulturë