Në një intervistë për CNN International, duke e mbrojtur projektin në fjalë, Rama foli lidhur me investimin që thuhet se është 4 miliardë euro në Zvërnec, protestat dhe reagimet e fundit në lidhje me këtë çështje.
Raportohet se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se familja e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk ka lidhje me projektin në Zvërnec të Qarkut të Vlorës, çështje e cila ka shkaktuar protesta dhe reagime në ditët e fundit, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për CNN International, duke e mbrojtur projektin në fjalë, Rama foli lidhur me investimin që thuhet se është 4 miliardë euro në Zvërnec, protestat dhe reagimet e fundit në lidhje me këtë çështje.
Duke iu përgjigjur kritikave mbi raportimet për lidhjen e projektit me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, kryeministri Rama ka pretenduar se shumica e kritikave janë të nxitura nga dezinformimi.
“Jemi në një luftë hibride. Shqipëria është nën sulm nga armiq që i njohim shumë mirë, është nën sulm nga konkurrenca e fortë në pjesën tonë të Mesdheut dhe nga mijëra profile të rreme online të krijuar për të gjeneruar këtë stuhi”, raportohet të jetë shprehur Rama.
Gjithashtu thuhet se Rama ka pretenduar se nuk ekziston diçka e tillë si “ishulli i familjes Trump”.
Më parë është raportuar se kompania e Kushner, dhëndrit të presidentit Trump, ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti në Shqipëri, konkretisht në Ishullin e Sazanit, që i përket Qarkut të Vlorës.
Protestat në Tiranë
Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit. Protesta me moton “Shqipëria nuk është në shitje”, filloi disa ditë më parë, ndërsa gjatë ditës së djeshme u shoqërua me tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.
Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.
Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama, ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis, ndërkohë ai u ka bërë thirrje protestuesve për bashkëbisedim.
Gjithashtu në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërkohë prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.













