Importi i përgjithshëm i mallrave në Britani të Madhe nga Rusia gjithashtu ra në 33 milionë funte (39 milionë dollarë) në muajin qershor, niveli më i ulëti që nga fillimi i regjistrimeve të ONS-së në janar të vitit 1997
Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS) e Britanisë së Madhe ka njoftuar se vendi në muajin qershor nuk importoi karburant nga Rusia për herë të parë që nga fillimi i regjistrimit të statistikave, transmeton Anadolu Agency (AA).
Importi i përgjithshëm i mallrave në Britani të Madhe nga Rusia gjithashtu ra në 33 milionë funte (39 milionë dollarë) në muajin qershor, niveli më i ulëti që nga fillimi i regjistrimeve të ONS-së në janar të vitit 1997.
Britania, e cila është ne mesin e grupit të vendeve që kanë sanksionuar Moskën për luftën në Ukrainë, është zotuar të ndërpresë gradualisht importet e naftës ruse deri në fund të vitit.
Më herët gjatë ditës, ministri britanik i Mbrojtjes, James Heappey, paralajmëroi se do të ishte “katastrofike” rivendosja e marrëdhënieve me Rusinë, për të cilën tha se ishte “bindshëm zgjidhja më e thjeshtë për krizën e kostos së jetesës”.
Sipas tij, një veprim i tillë do të ndikonte në sigurinë e Britanisë brenda pak vitesh.
“Të gjitha gjërat që i kam parë në gjashtë muajt e fundit më thonë se kjo do të ishte katastrofike për sigurinë Euro-Atlantike”, tha Heappey.
“Jo në një horizont 10, 15 apo 20-vjeçar, por brenda pak vitesh, ne do të gjendeshim në një situatë ku një Rusi e trimëruar do të shkaktonte sfida të kostos së jetesës që janë 100 herë më të rënda nga këto që po shohim tani. Sepse ata mund të kërkojnë të zgjerojnë ambiciet e tyre përtej Ukrainës, pra në territorin e NATO-s, për shembull në Baltik”, paralajmëroi ai.