Akil Gjakova kërkon medaljen e parë evropiane

Ka kohë që Akil Gjakova i takon grupit elitar të xhudistëve të kategorisë deri 73 kilogramë. 24-vjeçari ka fituar gara të rëndësishme, por ende është në pritje të medaljes së parë në kampionate zyrtare për seniorë.

Është medalja e artë në Grand Slamin e Parisit, në shkurt të vitit 2018, që konfirmoi se Gjakova ka potencial të madh në xhudo. Grand Slami i Parisit është gara më e famshme e xhudos. Në këtë garë, xhudisti pejan kishte impresionuar me paraqitje.

Ndër vite Akil Gjakova ka fituar medalje në gara të turit botëror të xhudos.

Tani e synon medaljen e parë në Kampionatin Evropian. Evropiani për seniorë mbahet prej 19 deri më 21 nëntor në Pragë të Çekisë. Është gara kryesore e vitit. Shumë gara janë anuluar për shkak të pandemisë, ndër të tjera edhe Lojërat Olimpike. Ngjarja “Tokio 2020” është shtyrë për verën e vitit të ardhshëm.

Por xhudistët kosovarë nuk e kanë ndalur asnjëherë punën. Janë të gatshëm për Evropian.

Gjakova javë më parë garoi në një Grand Slam në Budapest, ku mbeti pa medalje.

“Jemi duke ushtruar intensivisht. Në Grand Slamin në Budapest kam pasur një paraqitje të mirë, luftën e parë e kam pasur shumë të mirë. Ndërsa luftën e dytë e kam pasur me një garues të cilin nuk e kam njohur, por edhe taktikën s’e kam pasur në rregull dhe i kam bërë disa ndryshime brenda luftës. Ajo e ka bërë të veten dhe kam pësuar humbje. Synimi për Evropian dihet, medalja. Kështu që shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë”, ka theksuar Akil Gjakova për KOHËN.

Gjakova ka përvojë në kampionate evropiane. Madje në Evropianin për xhudistë deri 23 vjet kishte fituar medalje të artë në vitin 2018. Medalje të artë kishte fituar edhe në Evropianin për kadetë.

Ai është në formë të mirë, ka stërvitur mirë gjatë vitit, me gjithë situatën e rënduar nga pandemia. Punën e bërë shpreson ta kurorëzojë me medalje në Evropian.

Xhudistet kosovare kanë shumë medalje në kampionatet evropiane. Të tjera synojnë në Pragë.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Loriana Kuka ka kohë që janë shumë të suksesshme në kategoritë e tyre. Të gjitha kanë medalje evropiane. Majlinda nuk do të garojë në Evropian, ndërsa të tjerat pritet të jenë në Pragë.

Trajneri Driton Kuka ka vendosur për ekip më të madh në Evropian. Udhëtimi për në kryeqendrën e Çekisë është planifikuar për të hënën.

Kategoritë
Sport